Nuk duhen avokatë, nuk duhen gjykata…
Sot zyrtarisht u miratua Harta Gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.
Në fakt, kjo është harta e re e padrejtësisë.
Kështu nisi edhe diktatura në vitet 1945.
Nuk duhen avokatët, nuk duhen gjykatat, nuk duhet Ministria e Drejtësisë, drejtësinë e vendos “populli” dhe jo ligji. Avokatët shqiptarë vendosën të ngrinin zërin e tyre kundër padrejtësisë, për mos tu bërë palë me ata që sot shtetin e kanë kthyer në një shtet të “vetingut” selektiv dhe jo në një shtet të së drejtës.
Në një shtet ku nuk mund të kesh akses me drejtesinë, s’mbetet tjetër veç vetëgjyqësisë ose arratisë.
Qytetari duhet të shkoi te drejtësia dhe jo drejtësia të shkoi te qytetari . Harta e re e padrejtësisë e konfirmoi këtë absurd juridik, praktik dhe me kosto për qytetarin. Avokatët u ngritën për të ndërgjegjësuar qytetarët se tashmë kostot e tyre gjyqësore do të shumëfishohen, që qytetarët të ndërgjegjësohen se aksesin në drejtësi po e humbin.
Që çështjet e tyre mos të humbasin ndër vite për gjykim.
Sot me miratimin e hartës së padrejtësisë nuk humbën avokatët, sot humbëm të gjithë, qytetarë, bisnesmen, fermerë e nëpunës. Pavarësisht kësaj që ndodhi, sot avokatët vendosën të ngrenë një grup pune me avokatët më të shquar për të përgatitur kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për të paraqitur të gjitha argumentat e një vendimi antikushtetues.
Kjo çështje jo vetëm do të paraqitet në Gjykatën Kushtetuse, por edhe në Organizmat më të larta të drejtësisë ndërkombëtare si Komisioni i Venecias, në Organizatën Ndërkombëtare ku është anëtare edhe Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë.
Nuk ndalemi për kauzën tonë, nuk ndalemi për aksesin në drejtësi !
Nëse ata që projektuan dhe miratuan këtë hartë të padrejtësisë thonë “Ta gëzoni hartën e re”, shumë shpejt do kuptojnë që i kanë ngulur një thikë në shpinë shtetit të së drejtës dhe i kanë mohuar të drejat këtij populli për të kërkuar një drejtësi efektive.
Ata sot janë kthyer në çirakë të pavlerë të shtetit monist . Shpresojmë që një ditë drejtësia të triumfoj dhe populli ta kuptoj !!