LESKOVIKU KA KAPACITETE FINANCIARE TË RRIJË BASHKI MË VETE, POR “ÇUÇKËS” I LIPSET ELEKTORALISHT NËN KOLONJË !
Shakaxhiu Çuçkë ose kryetari aktual i Komitetit Ekzekutiv Kolonjë i dalë si i tillë nga të ashtuquajturat zgjedhje vendore moniste të 2019 dëshmoi sot para komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe pranoi me zë dhe figurë se Leskoviku megjithse një krahinë me potencial të lartë zhvillimi, pavarsisht traditës, terrenit të thyer malor dhe distancës 100 km vajtje-ardhje nga qëndra e bashkisë Kolonjë dhe mbi të gjitha kërkesës pothuajse unanime të banorëve të saj nuk duhet të jetë bashki më vete.
Doemos, të ardhurat që gjeneron Leskoviku ja bëjnë me sy, sepse Çuçka ja di kimenë parasë! Dhe atij sa i bën xhepi nuk i bën interesi i leskoviqarëve që e duan Leskovikun bashki.
Leskoviku nën Kolonjë veç të tjerash ka rezultuar edhe një hesap i bërë mirë elektoralisht në funksion të fitores në tavolinë të pushtetit aktual.
Madje madje zotria kryetar i bashkise Kolonjë emri i të cilit është promovuar në këto 4 vite më shumë për raportin me prokurorinë dhe SPAK sesa me punën që i dhanë mbisipër të bënte, guxoi të shfaqë edhe aftësinë e të qënit një biçim kandari i “kalibruar” për të në gjëndje të përcaktojë se cila nga dy krahinat Kolonja apo Leskoviku ka peshë më të madhe.
Askush më parë si ky kryetar në ikje dhe kaq institucionalisht nuk ka marrë përsipër të shfaqë fare hapur një opinion diskriminues dhe konfliktual midis banorëve të dy krahinave repektive, që megjithë veçantitë dhe vlerave pafund në tradita mes tyre kanë ditur të bashkëjetojë në harmoni të plotë deri me miqësira e krushqira pa fund.
Sigurisht që kjo qajse e zotërisë kryetar nga ana tjetër pranon me subkoshiencën prej një pyke në diell se Leskoviku dhe Kolonja janë krahina të ndryshme që përmbushin të gjitha kriteret e nenit 108 të kushtetutës për tu vetëadministruar si bashki veçmas.
Sa i përket “zbulimit” të Erjon Isait mbi impenjimin tim në përmbushje të dëshirës dhe interesit të leskoviqarëve në çdo cep të planetit që Leskoviku të rikthehet në hartën e bashkive, jo vetëm që s’e kam fshehur ndonjëherë por e them me zë të lartë që jam gati të bëj çdo sakrificë deri marrveshje me djallin që banorët e asaj zone të zgjedhin kryebashkiakun e tyre, pavarsisht ngjyrës politike.
Gjej rastin të përsëris sërisht bindjen time, se deputetët e komisionit të reformës administrative dhe opozita e gjitha në unison ta ketë të qartë si kristali se një reformë thjesht me ndërhyrje vetëm të ligjit mbi pushtetin vendor, pa korrigjim të hartës së bashkive nuk duhet ta pranojnë.
Nëse do të bëhej vetëm kjo unë nuk do nguroja ta quaja si ceremoninë funebre të pushtetit lokal me bekimin e gjithë politikës.