Ngjarja ndodhi në mesnatën e djeshme dhe lajmi u përcoll në çdo media të rajonit dhe botërore.
Menjëherë u fol se avioni transportonte armë, por kjo zbulohet zyrtarisht në një prononcim nga autoritetet serbe.
“Avioni ukrainas i mallrave, që u rrëzua të shtunën vonë në Greqi, po transportonte 11.5 tonë armë serbe në Banglades”, tha sot ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.
Duke folur në një konferencë për mediat, Stefanoviç konfirmoi se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe “Valir”.
Të tetë anëtarët e ekuipazhit të avionit humbën jetën, njoftoi televizioni shtetëror grek të dielën.
Stefanoviç tha se avioni transportonte minahedhës dhe mina të fuqive e tipave të ndryshme.
Ai tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën dhe se kompania ukrainase ishte vetëm pronare e avionit.
Stefanoviç i hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët janë nisur për në Ukrainë, duke thënë se ato janë “keqdashëse dhe të dëmshme për Serbinë”.