Mbrëmë në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, ish deputeti i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli ka folur për projektet e tij në të ardhmen brenda PD-së.
Kadilli ka krijuar profilin e tij politik si njeri jokonformist, ai ka qenë kritik i Bashës dhe Berishës.
Kujtojmë se Kadilli ka qenë kandidat për kryetar të PD-së përballë Lulzim Bashës në verën e vitit 2021, mbas zgjedhjeve elektorale të prillit të të njëjtit vit.
Veç Kadillit, në garën e asaj periudhe, kandidatë ishin edhe Edith Harxhi dhe Agron Shehu.
I pyetur nga Arian Çani në lidhje me zërat që qarkullojnë se Kadilli ka në plan të jetë kandidat për kryetar bashkie i Partisë Demokratike në Tiranë, Fatbardh Kadilli ka thënë se një gjë të tillë e ka konsultuar me miq, kolegë e figura të televizionit, por akoma me kreun e PD-së Berishën.
Gjatë fjalës së tij, Kadilli ka thënë se projekti që ai synon është që opozita të përballet me pushtetin në Tiranë, dhe për këtë beson se do të ketë mbështetjen e Berishës.