Etyd i thyer
Lule të këputura pa petale
ofshanin thellësisë së kohës,
në udhën pa emër.
Ca njerëz
ngroheshin në një zjarr,
ndezur me fletë libri dhe taste pianosh.
Britmat e kordave
të klaviçembalos së kishës,
me dhembjen e tyre
kompozuan një etyd të thyer.
Nga qielli
rrodhën lot pëllumbash të bardhë
dhe copëra pentagrami
të një marshi funebër.
Chicago 07/12/2022