Ende jeton plumbi që pushkatoi Vilson Blloshmin e Genc Lekën…
Kur shihja plumbin që ka pushkatuar Vilson Blloshmin e Genc Lekën, njërin nga plumbat e pushkatimit të tyre 45 vjet më parë, plumb që e mbante në dorë Bedri Blloshmi, vëllai i përkushtuar i Vilsonit për të zbardhë të vërtetën e Vilsonit e Gencit, ndjeva një trishtim të thellë.
E pashë atë plumb në ekspozitën kushtuar dy poetëve martirë në 45 vjetorin e pushkatimit të tyre.
Ende jeton plumbi që pushkatoi Vilsonin e Gencin, ende jeton një plumb qe i pushkatoi ata dhe na vrau të gjithëve lirinë.
Ende ai plumb vret te ardhmen tonë, sigurinë tonë.
Ky plumb bashkë me foto të tjera dhe dokumente të ndryshme u ekspozuan në ekspozitën në mjediset e Institutit të studimit të krimeve të komunizmit, ku mora pjesë i ftuar si vizitor.
Jam përpjekur të mbështes sa kam mundur veprimtari të Klubit të Poezisë për njohjen e Vilsonit e Gencit. Kam mbështetur botimin e disa librave të tyre, dhe aktivitete shkrimtarësh në nderim të dy poetëve martirë që ka organizuar Klubi i Poezisë.
Dhe nuk mund të mungoja në çeljen e kësaj ekspozite të veçantë në 45 vjetorin e pushkatimit të tyre të kapur me pranga dorë për dore.