Kompania publike e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës është vënë nën auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ku për aktivitetin e shtrirë në disa vite janë gjetur me dhjetëra milionë euro dëm të lidhura me aspekte të ndryshme.
Pjesën më të madhe të këtij dëmi e mban zbatimi i marrëveshjeve hidrokarbure që sipas KLSH kap vlerën mbi 8 miliardë lekë apo rreth 69 milionë euro.
“Për periudhën objekt auditimi, lidhur me zbatimin e marrëveshjeve hidrokarbure janë krijuar detyrime të kontraktorëve ndaj “Albpetrol Sh.A”, konkretisht për pjesën e PPE dhe ASP, detyrime financiare të papaguara për shërbimet e ofruara nga “Albpetrol” ShA, korigjimi i koeficientit R nga mos zbritja e shpenzimeve të përfshira në kostot hidrokarbure nga kontraktorët e marrëveshjeve hidrokarbure, të cilat kanë sjellë efekte financiare negative në vlerën 8,397,275,500 lekë”, thuhet në dokument.
PPE është ai që njihet si prodhim-para ekzistues që është sasi që Albpetrol e kishte para se një vendburim ta merrte në shfrytëzim një operator privat. Bilanci është mujor ku secila nga palët bën rakordimet për detyrimet.