Një 17 vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Tiranës dhe materialet në ngarkim të tij i janë përcjell prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Blutë e Tiranës kishin marrë informacione se ky 17 vjeçar mbante armë zjarri pranë shtëpisë së tij, një kallashnikov që e kishte fshehur pranë rrugës “Gjergj Legisi”. Kur shërbimet kanë shkuar në vendngjarje, kanë gjetur dhe armën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara falë bashkëpunimit me qytetarët, se në rrugën “Gjergj Legisi”, një shtetas kishte fshehur armë zjarri afër banesës së tij, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll të befasishëm në adresën e dhënë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të kësaj banese, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur mes shkurreve, një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin R. R., 17 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit B. K., 40 vjeç dhe I. Z., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë”, njofton policia.