Janë mbi 50 vatra aktive zjarresh në gjithë Greqinë vetëm 24 orët e fundit, njofton gazetari i neutrale.al nga shteti helen.
Ai thotë se lajmi është zyrtar dhe i përcjellë për mediat nga shërbimi zjarrfikës.
Ata paralajmërojnë se kërcënimi i zjarreve mbetet i lartë në shumë rajone.
Pranë qytetit Amfissa, Greqia Qendrore, zjarri ka fuqi më të madhe në disa drejtime dhe paraqet rrezik të lartë.
Ndikuar nga erërat e forta zjarret po përhapen nëpër ullishtet drejt manastirit të Profitis Ilias dhe gjithashtu drejt qytetit bregdetar të Iteas.
Mbrojtja Civile ka kërkuar evakuimin e banorëve në pjesën veriore të Itea, të cilëve iu tha të niseshin drejt Kirrës.
Në terren ndodhen rreth 50 zjarrfikës me 15 makina zjarrfikëse dhe tre ekuipazhe tokësore të ndihmuar nga pesë avionë.
Erërat e forta dhe temperaturat e larta bëjnë që rreziku i zjarrit të mbetet shumë i lartë në Atikë, Greqinë Qendrore, Greqinë Perëndimore, Peloponez dhe ishujt lindorë të Egjeut.