Qeveria ka sjell një draft të tillë ligjor sikur ai të ishte ligji i mrekullive!
E para është absurde të mendosh se mundet që një ligj i vetëm me 34 nene të përfshijë gjithçka është brenda perimetrit “spitalor”. Ne nuk kemi nevojë për një ligj të tillë, që ngel vetëm propagandë e pengesë zhvillimi, ne kemi nevojë për paketa ligjore zhvilluese për sistemin tonë spitalor.
Por termi i këtij drafti është i madh, impresionues do të thoja: “Për sherbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë ”, ndërsa përmbajtja“bosh”. Ai jo vetëm nuk ka asgjë të re, por shumë më keq, bën hapa mbrapa në disa nga konceptet e ndërtimit të sistemit tonë spitalor. Në fakt hapa mbrapa është dhe fakti i mos prezantimit të asnjë zhvillimi pozitiv në vite nga kjo maxhorancë, kur këto koncepte, forma organizimi, menaxhimi, bashkërendimi evoluojnë me shpejtësi jo vetëm në vendet europiane, por dhe në ato përreth, duke përfshirë edhe Kosovën. Dhe mbas 8-9 vitesh qeverisje sjellin këtë draft ligjor, i tillë ai sikur ta kishte shkruar ndonjë këshilltar i qeverive të dikurshme sovjetike.
Pra u “mbars mali e polli një mi”, por që dhe “miu” ngjan me ndonjë të vdekur, nga të ballcamosurit e mureve të Sheshit të Kuq!
Dhe ky ligj abrogon pasardhësin e tij, i cili për hir të së vërtetës nuk ishte i përsosur. Ai duhej amenduar, pasuruar me ligje të tjera, përshtatur me realitetet e reja në perputhje me atë që po ndodh me sistemet spitalore, me realitetet e krijuara edhe në vendin tonë. Dhe sot kjo serviret pa krijuar asgjë të re, në mos më keq, thjesht për tu ribërë, kur në të gjithë botën ligje të tille pothuajse nuk abrogohen as në dekada të tëra, por pasurohen, amendohen, shoqërohen me ligje të rinj më të thelluar në kolonat e shërbimit, zgjerohen e sofistikohen.
Abrogimi i një ligji të tillë e zëvendësimi totalisht me një të ri do të ishte për çdo qeveri e parlament në Europe një vepër madhore, pothuajse e pa mundur.
Ndërsa tek ne kjo është gjëja më e thjeshtë. Qeveria kujton se kështu “lë gjurmë ”, edhe pa bërë asgjë, duke haruar se ka dhe “gjurmë ” për keq, siç po ndodh me këtë Rilindje. Dhe kjo kërkohet të realizohet pa asnjë diskutim publik, pa autorë, pa thellim në atë se çfarë është pengesë e çfarë e re do të shtohet. Apo akoma më keq duke ‘“haruar” edhe premtimet “historike” të vete atyre, siç është ai i “Shëndetësisë falas”, që tashmë është shpalluar heretik edhe si shprehje. E më tej kërkohet që Parlamenti ta miratojë këtë ligj në harkun e disa javëve, kur një parlamenti tjetër serioz mund t’i duheshin edhe vite për të bërë diçka të tillë, nqs do ta bënte.
Megjithatë ai draft me vetem 34 Nene për të gjithë veprimtarinë spitalore shqiptare, publike e private, që në realitet jo vetëm nuk thotë asgjë të dobishme, përkundrazi paraqet regres veçanërisht përballë nevojave e mundësive reale të sistemit tonë, mund te “votohet” edhe për disa minuta nga kartonat “automatikë ” të mazhorancës, sepse aq bosh është brenda tij, sepse aq i lehtë është në “peshë ”.
Kjo për realitetin e thjeshtë se ai projekt ligj nuk shpreh asgjë progresive, nuk fut asnjë koncept të ri, kolonë zhvilluese, duke qene i ndërtuar mbi koncepte shumë të vjetra në kohë e të ezauruara tashmë të menaxhimit centralist ekstrem të sistemit spitalor, i mbushur me llafollogji e propagandë të vjetër shterpë.
Por dhe një pjesë e kësaj llafollogjie e disa terma të saj vendosen aty në mënyrë shumë timide, si për të “larë gojën ”, pra vetëm për të krijuar idenë e ndonjë ndryshimi progresiv si fjala “autonomi spitalore”, kur në fakt jo vetëm janë sipërfaqësore, por dhe ato vetë a implementimi i tyre futen në disa labirinte, që në realitet i bëjnë të pa implementueshme.
Edhe konceptet e “reja” që kërkojnë të serviren atje si “kulmi i modernizmit” janë të diskutueshme tashmë, i gjen në spitalet publike të Europës që në vietet 70-të, siç është ai i “privè”. Sa për të tjera aty nuk ka asgjë tjetër, qoftë kjo për spitalet publike, private apo dhe për lidhjen e privatit me publikun.
Ndërsa ajo që është dhe më keqja, por që vjen si një pasojë e mentalitetit “bolshevik” të ndërtimit të atij ligji, është se mungon tërësisht vendi e roli i qytetarit e pacientit, qendror ky për sistemin dhe motor i zhvillimit, konkurrencës, në përputhje kjo dhe me të drejtat themelore të tij për të zgjedhur shërbimin mjekësor. As që mund të bëhet fjalë në ate draft për diçka të tillë. Pra pacienti aty nuk egziston duke e kthyer në një “send”, lihet në haresë, i përbuzur, pa të drejta, për të cilin vendosin të tjerët, nëpërmjet shumë procedurave burokratike.
Sidoqofte le të shikojmë disa elemete, që e kthejnë këtë ligj në një atavizëm të rregjimeve ekstremisht të centralizuar, të pa përputhshëm me një vend demokratik ku mbizotëron ekonomia e tregut, që reflektohen direkt edhe në mënyrën e trajtimit të pacientit si një objekt çfarëdo.
Në atë draft nuk ka asnjë fjalë për konceptin real të spitalit në një vend me ekonomi tregu, zhvillues të tij, atë të “spitalit ndërmarrje ”. Kjo pa dyshim shoqërohet me mungesën e plotë të çdo nocioni të matjes së kostos së spitalit. Asnjë fjalë për sistemin DRG të kostos, pa implementimin e të cilit është e pamundur të matet e të kuantifikohet në vlera materiale aktivitetit i çdo spitali.
Mungesa e këtyre elementëve i mbyllin derën koncepteve të reja stimuluese e zhvilluese të “spitalit ndërmarrje”, autonomisë së vërtetë me raportin kosto/cilësi si thelbësore, për të mos folur këtu për ‘tregun” e shëndetit, konkurrencën nxitëse, vendimarjes së vërtetë spitalore, etj.
Në fakt, akoma më keq ai term dhe vizion modern vazhdon të zëvendësohet me një terminologji sovjetike, duke e çuar spitalin drejt një entiteti pa dinamikë, të centralizuar e statikë. Këto janë përcaktimet e atyshme arkaike si Spital bashkiak, qarku, rajoni, terciar, ndarjet të pergjithshem apo të specializur të tij, etj, që janë jo vetëm të tejkaluara veçanërisht për mënyrën si ofrohen, duke u bërë kështu të pa përshtatshme e bllokuese sot.
Spitali duhet trajtuar si një njësi e vërtetë autonome, si një “ndërmarrje e shëndetit ” me indekset e tij të cilësisë së shërbimit, por dhe të kostos. Spitali është spital, ku të gjitha shërbimet e tij klinike janë “specialitete”, duke filluar nga mjekësia interne, te kirurgjia e përgjithshme, gjinekologjitë, laboratoret qe tashti i janë dhënë privatit me PPP, gjithçka e deri te kardio kirurgjia, trapiantet etj, që ai mund të përmbajë e zhvillojë për tu bërë atraktiv e i dobishëm për pacientin dhe në “treg”. Ndërsa klasifikimet e përdorura në atë draft jo vetëm e deformojnë atë, por dhe bllokojnë çdo të drejtë të pacientit për të zgjedhur ai sherbimin mjekësor, që preferon kudo qoftë ky në territor, si një e drejtë universale e kushtetuese e tij.
Si rrjedhojë në të gjitha ato 34 nene nuk flitet asnjë fjalë për qytetarin e pacientin, që ka të drejtë të zgjedhë shërbimin, ta kërkojë direkt atë aty ku dëshiron, i paguar më tej nga sistemi i sigurimeve në bazë të indekseve të kostos, duke u kthyer kështu ne epiqendrën zhvilluese për të gjithë sistemin.
Fatkeqësisht për hir të së vërtetës në atë ligj dhe sistemi sigurativ vazhdon të mbetet në konceptin regresiv të “blerësit të vetëm ”, kur ka ardhur koha për krijimin e tregut sigurativ, si stimulues në mbledhjen e të ardhurave, konkurrencën brenda tij, konkurrencën e cilësisë së shërbimit e të kostos të realizuar në spitale, apo dhe në sistemin parësor ky.
Nga ana tjetër është spitali ai që, i cili në ditën e parë të aktivitetit të tij funksionon së paku si autonom e mund të marrë vendime të rëndësishme për organizimin e vet, pa pasur nevojë “t’i ipet e drejta e autonomisë ” në një kohë të dytë kjo, duke e futur kështu edhe këtë proces shumë sipërfaqësor e të pa mjaftueshëm në “kalendat greke” nga Ministria, gjë që e vendos definitivisht nën vartësinë e saj. Qesharake kjo për Shqipërinë e viteve 2022!
Në ligj mungon gjithashtu tërësisht mënyra e trajtimit të spitaleve private. Një gjë duhet kuptuar mirë, spitalet private janë pjesë e sistemit tonë spitalor, janë pasuri kombëtare të krijuara nga privatët pa investime shtetërore. Si të tilla i takon shtetit tashmë t’i vërë në dobi të qytetarëve të tij këto investime, që në vendin tonë kapin shuma gjigande. Dhe kur them në dobi të qytetarëve jo vetëm të një grupi të vogël, që mund të paguajnë me para në dorë për të marrë shërbime mjekësore, disa herë jetike e që sistemi publik nuk i ofron. Sepse ndryshe do të vazhdonim me devizë “o paguaj o vdis”, që shpesh është një realitet i hidhur për shqiptarët.
Dhe mekanizmat për të ndryshuar këtë tashmë janë e po përdoren me sukses në të gjithë botën që në kohën e Bismarkut. Ndërsa ky draft ligjor i vitit 2022 nuk përmban asnjë koncept e mundësi të tillë, gjë që duhej filluar me vendosjen e konceptit të spitaleve private të kovencionuara si dhe me pranimin përkohshëm të formës së “bashkëpagesës” në ato, bashkëpagesë që me kohë do të shuhet. Por ky koncept kërkon edhe atë çfarë thamë më lart, domosdoshmerinë e indekseve të kostos, që as “gjurmët ” nuk i duken në këtë draft. Pra çdo gjë bllokohet prej themelit.
Dhe së fundmi kam një pyetje për autorët anonimë të tij. Po me PPP-te qindra milionëshe në Euro, që të imponuara nga “qendra” kanë zeruar jo vetëm atë pak “autonomi” spitalore, por kanë krijuar kështu dhe monopole shkatërruese private kombëtare të paguara nga shteti, si do të veprohet? Apo që kanë shkatërruar dhe unitetin klinik, shkencor e universitar të spitalit siç është ai i laboratorëve, çdo të bëhet? Pse nuk përmenden në këtë draft si një “gangrenë ” serioze për funksionimin e spitaleve në përputhje me konceptet e domosdoshme, duke dhënë edhe zgjidhjen, e cila duhet bazuar mbi ligje.
Këto janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve që mbart apo do të sjellë ky projekt ligj, se sa per zhvillime pozitive në ate as që bëhet fjalë!
Në këto kushte, kur ky draft nuk përmban thelbin, esencën e një ligji sado pak progresiv e zhvillues për spitalet tona, të përputhshëm me realitetin e vitit 2022, por vetëm centralizëm burokratik, ai do të kthehet në regresiv e pengesë nesër, në stimulues të mundësive koruptive, nqs do të miratohet. Nga ana tjetër ky projekt ligj nuk mund të përmirësohet, se është ndërtuar mbi kolona të gabuara, centraliste, të vjetra, jashtë realitetit, nevojave e mundësive edhe shqiptare. Si i tillë ai duhet të kthehet mbrapa në Qeveri e më tej të punohet me seriozitet, vizion, transparencë, e kolegjialitet për tu filluar së pregatituri drafte të vërteta ligjore spitalore a për sistemin parësor, farmaceutik, stomatologjik, etj etj, në vendin tonë.
Si përfundim ky draft ligjor duhet flakur në kosh!
Tritan Shehu/Projekt ligji për spitalet- dështim i paralajmëruar!
Leave a comment Leave a comment