Vatra të mëdha zjarri janë regjistruar në rrethinat e Romës, kryeqytetit italian.
Më e madhja është ajo, që ka përfshirë një zonë të pyllëzuar në Aurelia, pranë një kampi veror. Flakët kanë djegur disa kapanonë industrialë brenda të cilëve ndodheshin bombola gazi, të cilat më pas kanë shpërthyer.
Të paktën 35 persona janë intoksikuar nga tymi dhe u dërguan në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu u evakuan dhe disa familje.
Vatra tjetër e madhe e zjarrit është ende aktive në zonën Kasaloti.
Zjarret janë ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë Romën në ditët e fundit.
Për shkak të tymit të shkaktuar nga zjarret disa avionë që do të uleshin në Ciampino u ulën në Fiumicino.