Deputetja demokrate ka reaguar në mënyrë lakonike me një status në rrjetet sociale, por problemi real (nëse ndodh), merr përmasa të mëdha.
“Postimi i plotë i saj
Të transferojnë ujin e burimit nëntokësor të Syrit të Kaltër në Greqi, kjo mund të jetë papërgjegjshmëria dhe çmenduria e rradhës e Qeverisë Rama!”
Në fakt, kjo ide ka ditë që qarkullon në mediat helene, madje në Korfuz para dy ditësh ka patur një protestë për mangësi në furnizimin me ujë.
Ishulli i pasqyrave, sikurse njihet Korfuzi, po e ndjen krizën e ujit dhe tashmë ka hedhur sytë dhe shpresën nga brigjet shqiptare.
Media greke ERT NEËS tregon se po përgatitet një marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin e kulluar të burimit nëntokësor Greqisë. Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris ka ngritur sërish çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria: “Me ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne i jemi nënshtruar një propozimi/memorandumi teknik për furnizimin me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë në konsideratë dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studime ekzistuese si ai i Politeknikut (1991).”
Kujtojmë se Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002.
Ky burim fantastik është gjithashtu një atraksion i rëndësishëm i turizmit natyror.