Gazetari rus Dmitry Muratov do të nxjerrë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel për Paqe. Të ardhurat do t’i shkojnë drejtpërdrejt UNICEF-it në përpjekjet për të ndihmuar fëmijët e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.
Vlerësuar me medaljen e artë në tetor të vitit 2021, Dmitry Muratov ndihmoi në themelimin e gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta dhe ishte kryeredaktor kur gazeta u mbyll në mars mes shtypjes së Kremlinit ndaj gazetarëve dhe mospajtimit publik në vazhdën e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Ishte ideja e zotit Muratov për të nxjerrë në ankand çmimin e tij, pasi kishte njoftuar tashmë se do të dhuronte çmimin shoqërues prej 500,000 dollarësh për bamirësi. Ideja e donacionit, tha ai, “është t’u japë fëmijëve refugjatë një shans për një të ardhme”.
Në një intervistë për agjencinë Associated Press, zoti Muratov tha se ishte veçanërisht i shqetësuar për fëmijët që kanë mbetur jetimë për shkak të konfliktit në Ukrainë.