Plot 24 orë që në Ishullin e Sazanit flakët po përpijnë gjithçka, por ende nuk ka një ndërhyrje nga ajri. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi kanë publikuar pamjet nga ajri, ku një helikopter është ngritur, jo për të shuar flakët, por për të monitoruar.
“Në këto momente Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako, i shoqëruar nga ekspertë zjarresh janë duke u kryer një rikonicion nga ajri mbi ishullin e Sazanit për të vlerësuar nevojën e ndërhyrjeve të mëtejshme. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit janë shtuar trupat e ndërhyrjes nga toka të cilët kanë krijuar breza të shpyllëzuara rreth vatrave të zjarrit”, shkruan Peleshi në Facebook.
“I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre…
Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.”- shkruan Peleshi