Kanë mbetur vetëm pak orë nga votimi i raundit të katërt në Parlament. Për të shkuar në Kuvend Begaj duhet të përbushë edhe disa detyrime ligjore, siç është për shembull dorëheqja nga detyra aktuale e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Mësohet se Begaj e ka dërguar dorëheqjen e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, ku pas miratimit nga Peleshi nevojitet edhe firma e Metës për lirimin e tij nga detyra.
Ndërkohë, Presidenti nuk ndodhet në Shqipëri që prej ditës së djeshme, ndërsa mëngjesin e sotëm uroi “fundjave të mbarë nga Stambolli” duke marrë pjesë në një forum ekonomik në Maltepe të Turqisë.
Rrjedhimisht, Presidenti Meta nuk mundet që të japë firmën e tij brenda orëve që kanë mbetur për të liruar Begaj nga detyra në mënyrë që ai të zgjidhet në krye të shtetit në vend të tij.
Nisur nga situata e krijuar, burimet bëjnë me dije se aktualisht Rama dhe Balla janë në një mbledhje në Kryesinë e Kuvendit me Klotilda Bushkën për të gjetur një hapësirë ligjore për të shmangur ngërçin në fjalë.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjidhja që do të gjejë maxhoranca për të mos djegur raundin e sotëm të votimit për Presidentin e ri të Republikës.