Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, më 3 qershor, ka konfirmuar se ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov do të vizitojë Serbinë.
Në konferencën e saj për shtyp, Zaharova tha se Lavrov do të jetë në Serbi nga 6 deri më 7 qershor.
Ajo tha është planifikuar që Lavrov të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shefin e diplomacisë serbe, Nikola Selakoviç dhe kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiç. Shtohet se është planifikuar që Lavrov të takohet edhe me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
“Pritet që të bisedohet më detajisht për çështjet e bashkëpunimit dypalësh politik dhe ekonomik, të shkëmbehen mendime për situatën në rajonin e Ballkanit, si dhe për problemet aktuale ndërkombëtare”, tha Zaharova, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme ruse.
Njoftimi për vizitën e Lavrovit ende nuk është paralajmëruar zyrtarisht në Serbi, ndërsa në faqen e internetit të Presidentit të Serbisë thuhet se Aleksandar Vuçiç do të jetë në Maqedoninë e Veriut nga data 7 deri më 8 qershor, ku do të marrë pjesë në takimin e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.