Ulja e notës mesatare që të çon maturantët në degët e mësuesisë, është vendimi i duhur. Ngritja e notës mesatare shpuri në zbrazjen e universiteteve dhe lënien rrugëve të shumë maturantëve.
Kujdes!!!
Nota mesatare 7.5 nuk ka qenë për profilet master të degëve të mësuesisë, por për ciklin e parë të studimeve bachelor. Kjo do të thotë se kush studionte matematikë, biologji, kimi, gjuhë të huaja, gjeografi apo histori në bachelor, jo domosdoshmërisht shkonte për master në mësuesi, por vazhdonte e vazhdon mastera të tjerë të profesionit të fushës së bachelorit.
Vendimin absurd e propozoi aso kohe ish ministrja kosovare, më e mbapshtja ministre që ka njohur historia e Shqipërisë, prandaj me këtë vendim, kanë korrigjuar gabimin e bërë.
Unë e kam pas goditur atë vendim, sepse justifikohej me faktin që rritja e cilësisë së mësuesve arrihet nëpërmjet rritjes së mesatares dhe uljes së studentëve që marrin drejtimet e mësuesisë. Por ky argumentim ka qenë absurd, sepse cilësia nuk rritet kur ulet sasia, por e kundërta, sa më tepër të diplomuar në mësuesi të kemi, aq më shumë shanse kemi për të zgjedhur më të mirët.
Prandaj, edhe pse jam kundër kësaj qeverie të korruptuar, jam dakord me këtë vendim të marrë sot. Madje duhet të luftojmë që pragu i mesatares për të hyrë në universitet të hiqet, pasi është në kundërshtim me kushtetutën.
Shteti ka detyrim të mundësojë arsimim të gjithë shtetasve të vet. Po u shkel ky parim, i hapet rruga analfabetizmit funksional dhe i mbyllet rruga fëmijëve të familjeve të varfra që të mos kenë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre.
Po kuptuam këtë, të tjerat kuptohen vetiu!