DEKLARATË PËR MEDIA, DREJTUESI I DEP. TË SHËNDETËSISË NË PD, ILIR ALIMEHMETI
Të nderuar qytetarë,
Dje, Edi Rama kaloi në Parlament reformën territoriale, në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve, në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e vazhdueshme të opozitës, por në kundërshtim edhe me Këshillin e Europës, i cili po dje publikoi Raportin e Monitorimit të aplikimit të Kartës Europiane të Vetë-Qeverisjes Lokale në Shqipëri, monitorim i cili u krye në 2025 nè vijim tè kërkesës së Partisë Demokratike për shkak të abuzimeve të njëpasnjëshme të Edi Ramës me pushtetin vendor, pushtet ky i ndarë me Kushtetutè!
Në detaj, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës identifikon tetë shqetësime kryesore:
1-Centralizimi i kompetencave: Bashkitë janë reduktuar shpesh në zbatuese ose mbështetëse të politikave dhe shërbimeve që kontrollohen nga qeveria qendrore.
2-Financimi i pamjaftueshëm: Burimet financiare të bashkive nuk përputhen me koston e përgjegjësive që u janë ngarkuar.
3-Konsultimi joefektiv: Mekanizmat e konsultimit ndërmjet qeverisë dhe bashkive nuk sigurojnë pjesëmarrje të plotë dhe kuptimplotë të të gjitha shoqatave të pushtetit vendor.
4-Probleme me reformën territoriale: Konsultimi për ndryshimin e kufijve dhe bashkimin e bashkive ka nisur vonë dhe nuk duket se ka garantuar pjesëmarrje reale e në kohë të komuniteteve të prekura.
5-Dobësi në administrimin e taksave vendore: Bashkitë kanë kapacitete të kufizuara për mbledhjen e taksave, ndërsa regjistrimi i pronave nuk është gjithmonë i saktë dhe i besueshëm.
6-Sistem joefektiv i barazimit financiar: Mekanizmat e shpërndarjes së fondeve nuk korrigjojnë mjaftueshëm pabarazitë ndërmjet bashkive.
7-Mungesë e burimeve njerëzore: Bashkitë kanë vështirësi në tërheqjen, mbajtjen dhe zhvillimin e stafit të kualifikuar.
8-Qarqet nuk funksionojnë si një nivel real i vetëqeverisjes: Zgjedhja indirekte e këshillave të qarqeve, kompetencat e kufizuara dhe autonomia e dobët financiare pengojnë funksionimin e tyre si autoritete të mirëfillta vetëqeverisëse.
Të gjitha këto probleme madhore të identifikuara nga Këshilli i Europës përkthehen në shërbime të larguara, në shërbime të munguara, në shërbime të vonuara dhe në shërbime të abuzuara për qytetarët.
Ky është konkretisht “zbatimi” i pasaportës europiane sipas Edi Ramës.
Të bësh të kundërtën e asaj që kërkojnë qytetarët!
Të bësh të kundërtën e asaj që kërkojnë bashkitë!
Të bësh të kundërtën e asaj që kërkon Këshilli i Europës!
Vetëm për centralizim pushteti!
Vetëm për kapje shteti!
Vetëm për interes personal!
Pyetja për ju miqtë e mi është:
“Një Qeveri që miraton ligje për shqiptarët, në kushte rrethimi nga shqiptarët dhe në kushte proteste nga shqiptarët, a i miraton këto ligje me të vërtetë për shqiptarët?”
Ju e vendosni!

