Në një mesazh emocional të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, futbollisti ka bërë të ditur vendimin për t’u tërhequr nga përfaqësuesja, duke theksuar se tashmë e ndien se ka ardhur momenti për t’i lënë vend brezit të ri.
“Pas gjithë kësaj kohe që ka kaluar nga finalja, pasi e kam menduar shumë, dua t’ju komunikoj të gjithëve se tërhiqem nga Kombëtarja”, shkruan ai.
Vendimi, siç pranon vetë futbollisti, nuk ka qenë aspak i lehtë.
“Ishte një vendim që më dhembi dhe më dhemb në shpirt, por e kuptoj se ka ardhur momenti. Ju betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm në vitet e fundit kur fituam gjithçka, por edhe më parë. Gjithmonë kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, për t’ju dhuruar gëzime dhe për t’ju bërë krenarë që jeni argjentinas përmes futbollit”, shprehet ai.
Më tej, ai thekson se ndihet i përmbushur pas gjithçkaje që ka përjetuar me Argjentinën, ndërsa pranon se nuk ka më të njëjtën energji për të vazhduar.
“Ka mbetur pak dhe etapat po mbyllen, dhe kjo është një prej tyre që më dhemb shumë. E dua, e kam dashur dhe do ta dua gjithmonë të jem në Kombëtare. U zbraza, nuk kam më për të dhënë, dhe për më tepër pas nesh po vijnë djem shumë të mëdhenj që meritojnë të jenë aty”, shkruan ai.
Pas dy dekadash me fanellën e Argjentinës, falënderimi shkon për tifozët, familjen, trajnerët, shokët e skuadrës dhe drejtuesit me të cilët ka ndarë këtë rrugëtim.
“Faleminderit për gjithë dashurinë gjatë këtyre 20 viteve. Do të më mungojë shumë t’ju dëgjoj nga brenda. Tani do të jem një prej jush, duke mbështetur gjithmonë nga jashtë, në të mira dhe në të këqija, edhe më shumë”, vijon mesazhi.
Ai u shpreh mirënjohës edhe ndaj familjes për mbështetjen gjatë një rrugëtimi që e cilëson të jashtëzakonshëm, por të vështirë, si dhe ndaj trajnerëve, bashkëlojtarëve dhe drejtuesve.
“Largohem me qetësinë dhe krenarinë se, së bashku me shokët e skuadrës, ju dhuruam momente të ëndërruara. Ishte një çmenduri ta përjetoja këtë me ju. Ju dua!”

