Argumentet/ Reagimi i plotë i Mziut:
Letër e hapur.
Drejtuar bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, i cili, në praktikë, ka marrë rolin e kryetarit të procesit, duke e trajtuar atë sipas standardit të “qeverisjes fap-fap-fap”.
Si mund të propozohen vetëm tre data takimi dhe të synohet mbyllja e Reformës Territoriale me urdhër nga lart, pa një proces real pune dhe konsultimi?!
Reforma Territoriale, e cila deri më sot ka dështuar të prodhojë rezultatet e pritura, po tentohet të mbyllet pa një analizë të thelluar dhe pa përfshirjen reale të aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Sfidat reale mbeten:
▪️ Decentralizimi real i pushtetit vendor.
▪️ Afrimi i shërbimeve sa më pranë qytetarëve.
▪️ Pavarësia financiare e njësive vendore.
▪️ Rritja e autonomisë vendore.
Ne i përmbahemi modelit evropian të qeverisjes vendore, i cili mbështetet mbi disa parime themelore:
• Subsidiaritetin;
• Autonominë vendore;
• Demokracinë lokale;
• Transparencën dhe llogaridhënien;
• Decentralizimin fiskal;
• Zhvillimin rajonal të balancuar.
Ndërkohë, ju, zoti Mazniku, keni promovuar një qasje të kundërt:
▪️ Centralizimin dhe krijimin e bashkive të mëdha (“të forta”), të cilat shpesh bien ndesh me standardet e Bashkimit Evropian dhe me nevojat reale të qytetarëve.
Ne, përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, kemi kërkuar që në krye të herës:
▪️ Të përfshihen në komision të gjithë aktorët e pushtetit qendror dhe vendor: ministritë përkatëse, Drejtoria e Tatimeve, Thesari, INSTAT, drejtoritë qendrore të delegimit të kompetencave etj.
▪️ Të zhvillohen takime në terren me qytetarët dhe grupet e interesit në të gjitha zonat që kërkojnë rikonfigurim të bashkive ose krijimin e bashkive të reja, ku disponojmë 94–116 bashki të propozuara që duhet të dëgjohen.
▪️ Të zhvillohet një proces real konsultimi me qytetarët që nuk pranojnë bashkime të imponuara, duke shmangur praktikat centralizuese të ngjashme me modele të së kaluarës.
▪️ Të shmangen “eksperimentet” institucionale dhe klienteliste, siç kanë qenë praktika të tjera të kontestuara në të kaluarën (inceneratorët, investimet strategjike klienteliste, ndërtimet në zonat e mbrojtura, paketat e maleve etj.) dhe të ndërtohet një reformë sipas standardeve të BE-së.
▪️ Të merret në konsideratë modeli i asistencës dhe monitorimit nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës, si garanci çertefikuese për një reformë të qëndrueshme dhe evropiane.
▪️ Kemi paraqitur qindra kërkesa dhe shkresa institucionale, për të cilat ende nuk kemi marrë përgjigje, në shkelje të afateve ligjore, megjithëse ato përbëjnë bazën e një reforme të mirëfilltë.
📌 Ndërkohë, procesi është devijuar nga standardet e një reforme gjithëpërfshirëse, duke u kufizuar në takime formale dhe selektive:
🔸️ Takime me ministrinë përgjegjëse për pushtetin vendor, pa një platformë pune.
🔸️ Takime me një pjesë të kryetarëve të bashkive, ndërsa një pjesë tjetër nuk është përfshirë ose nuk është denjuar të marrë pjesë.
🔸️ Takime formale në qarqe, të karakterizuara nga një qasje e njëanshme politike dhe me moderatorë politikisht të pozicionuar.
Në këto kushte, kërkoj që të braktiset qasja partiake dhe e mbyllur në këtë proces kaq të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe për një Shqipëri evropiane.
Roli i bashkëkryetarit nuk duhet të ngatërrohet me funksione politike apo organizative elektorale, pasi kjo e dëmton rëndë thelbin e reformës dhe besueshmërinë e saj.
Ne nuk bëjmë pazar me parimet që na çojnë drejt Bashkimit Evropian, e mbi të gjitha me interesat e qytetarëve shqiptarë.
Në këtë kuadër, kërkoj zbatimin e të gjithë hapave të sipërpërmendur dhe zgjerimin e procesit, me qëllim ndërtimin e një reforme reale në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me standardet evropiane, të sanksionuara në:
▪️ Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës;
▪️ Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore;
▪️ Komitetin Evropian të Rajoneve;
▪️ Politikën e Kohezionit të Bashkimit Evropian.
Xhelal MZIU
Anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale.


