Në një përpjekje për të fajësuar Opozitën për dështimet e qeverisë, Taulant Balla zbuloi dje se janë shumë nisma, projekte, dokumenta, apo ligje që lidhen me integrimin, që i mbahen larg publikut, që i fshihen Opozitës.
Ka 6 muaj që PD dhe përfaqësuesit e saj i kërkojnë në mënyrë të përsëritur shumicës, që të njihet me listën e draft-ligjeve që duhen kaluar, sipas kërkesave të BE. Kjo është injoruar vazhdimisht.
Por dje në seancë, Taulant Balla zbuloi se qenkan 23 ligje që nuk paskan marrë votën e PD.
Kjo është më shumë se poshtërsi, është kriminale. Qeveria ka vendosur me qëllim ta përjashtojë PD dhe Opozitën nga ky proces, thjesht e vetëm që ta fajësojë nesër për dështimet e saj dhe të ketë gati alibinë!
PD ka qënë gjithnjë e qartë dhe e vendosur dhe e ka deklaruar, se çdo nisëm, çdo projekt, çdo ligj që ka lidhje me integrimin do të votohet prej saj në Kuvend.
Përveçse poshtërsi, është dhe shkelje e rregullores dhe e ligjit. Pasi rregullorja dhe ligji e detyrojnë raportimin në mënyrë periodike të kryeministrit apo qeverisë, lidhur me procesin e integrimit e gjithë çështjet që lidhen me të.
Një skemë pak të thuhet bizantine që po gatuhet në ato ligësitë që nxjerr Edi Rama nga goja kudo këto ditë, ku shpif ndaj PD sikur ne po pengojmë integrimin.
Nëse Europa sot ka pikëpyetje, i ka sepse Edi Rama vendosi me 82 vota në Kuvend të mbrojë korrupsionin e tij me Belinda Ballukun, të ndalojë drejtësinë.
Nëse Europa ka pikëpyetje, i ka sepse aferat si ato të AKSHI-it, të IPARD, të Portit të Durrësit, e shumë të tjera, nuk tolerohen, nuk kalohen.
Lidhjet e qeverisë dhe të Edi Ramës me krimin, janë pikëpyetje që ka Europa.
Procesi i integrimit ka ngrirë për fajin e përgjegjësinë e tij.
Bashkë me qytetarët, ne jemi të thirrur në detyrimin për ta hequr këtë pengesë.
Bashkohemi me 17 prill, ora 19:00, para zyrës së atij që po hedh poshtë aspiratën tonë historike, për hir të karrikes dhe lëkurës së tij.

