Nga Prof. Osman Metalla
Ngushtica e Hormuz mbetet sot një nga nyjet më të brishta të sigurisë energjetike globale. Çdo tension në këtë pikë të hartës përkthehet menjëherë në pasiguri për tregjet, në rritje çmimesh dhe në panik për zinxhirët e furnizimit.
Edhe pse pas disa javësh bllokimi situata duket disi e zbutur, rreziku nuk është zhdukur, ai thjesht është bërë më i padukshëm, por po aq i rrezikshëm. Vetë gjeografia e ngushticës e bën atë një “kurth strategjik”: një hapësirë e kufizuar, ku anijet nuk kanë alternativë reale për të ndryshuar kurs. Me një gjerësi minimale prej vetëm 24 miljesh detare dhe me një vijë bregdetare komplekse në anën iraniane, çdo lëvizje bëhet e parashikueshme dhe për rrjedhojë, e cenueshme.
Kjo është një zonë ku lufta nuk zhvillohet më vetëm me mjete tradicionale. Rreziku është hibrid: raketa nga bregu, nëndetëse, mjete të vogla të shpejta, drone të lirë por vdekjeprurës. Ironia është e hidhur: për të rrëzuar një dron që kushton disa qindra mijëra dollarë, përdoren raketa që kushtojnë miliona. Një luftë asimetrike, ku kostoja e mbrojtjes është shumë më e lartë se ajo e sulmit.
Në këtë realitet, sigurimi i lundrimit nuk është më një çështje rutine, por një operacion kompleks ushtarak. Konvojet e eskortuara, mbikëqyrja ajrore dhe përdorimi i satelitëve bëhen të domosdoshme, por edhe këto nuk garantojnë siguri absolute.
Pasojat janë tashmë të dukshme. Mijëra anije mbeten të bllokuara, me dhjetëra mijëra detarë në bord, duke e kthyer Gjirin Persik në një “parkim të detyruar” të flotës globale. Goditjet ndaj cisternave të naftës kanë rritur frikën në maksimum, ndërsa kompanitë detare dhe siguruesit përballen me vendime gjithnjë e më të vështira: të vazhdojnë operimin apo të tërhiqen për të shmangur rrezikun?
Edhe nëse situata fillon të zhbllokohet sot, normalizimi nuk do të jetë i menjëhershëm. Trafiku i akumuluar, pasiguritë dhe tensionet gjeopolitike do të vazhdojnë të ndikojnë për një kohë të gjatë.
Hormuzi nuk është thjesht një ngushticë. Ai është një “valvul” kritike e ekonomisë globale. Dhe sa herë që kjo valvul bllokohet, e gjithë bota ndjen pasojat, dhe Shqiperia nuk eshte e perjashtuar nga keto pasoja…
27.03.2026
Skema me poshtë është marrë nga marine traffic dhe tregon lëvizjet e anijeve sot!


