Sot vajza ime nuk shkoi në shkollë. Arsyeja është e thjeshtë: Dita e Verës, që këtë vit ra të shtunën, u “kompensua” me pushim sot, të hënën.
Pak më vonë më telefonoi një klient italian që prej vitesh bën biznes në Shqipëri. Ishte i habitur.
“Të shtunën pagova punonjësit me 25% më shumë sepse është ditë pushimi sipas Kodit të Punës. Sot përsëri duhet t’i paguaj me shtesë sepse është shpallur ditë pushimi.”
Pra, për një festë që ra në fundjavë, biznesi përballet me dy kosto shtesë.
Ndërkohë, në ekonominë reale gjërat funksionojnë ndryshe.
Një fermer nuk pyet nëse është festë apo jo. Ai e lë festën në tavolinë nëse duhet të mbjellë serën, sepse toka nuk pret kalendarin e administratës.
Kjo e bën edhe më të qartë absurditetin e këtij vendimi.
Në praktikë, përfituesi i vetëm real nga kompensimi i festave është administrata publike, e cila merr një ditë pushimi shtesë pa asnjë lidhje me produktivitetin e ekonomisë.
Por ky nuk është vetëm një problem ekonomik. Është edhe një problem politik.
Në një vend ku administrata publike është zgjeruar dhe politizuar deri në atë pikë sa shpesh përdoret si mekanizëm elektoral, privilegje të tilla marrin edhe një kuptim tjetër: janë forma të vogla shpërblimi për një trupë votash besnike.
Kështu shteti shpërndan pushime për administratën, ndërsa faturën e paguan ekonomia reale – biznesi që prodhon, investon dhe punëson.
Ndërkohë, një tjetër kosto bie mbi arsimin.
Nxënësit dhe studentët humbasin një ditë mësimi, e cila më pas duhet të kompensohet duke shtyrë kalendarin akademik.
Eduart Sharka/ Absurdi i festave të kompensuara: paguan biznesi, e kompensojnë nxënësit dhe studentët.
Leave a comment
Leave a comment

