Përpara grupit parlamentar të PS, Kryeministri Rama tha se ata nuk kanë vjedhur dhe nuk kanë bërë korrupsion.
Ai tha se mesazhet e gjetura nga SPAK nuk janë të rëndësishëm
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Balluku do të vazhdojë drejtimin në PS pasi është shumë e rëndësishme për të mbledhur vota për partinë.
“Ndaj saj është ngritur një akuzë jo për vjedhje, jo për korrupsion apo gjësendi tjetër të lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë në kryerjen e një vepre penale, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres, ka kryer veprën e mosbarazisë në tendera nga mesazhe të gjetura 6 vite më pas në celularin e një drejtori. Mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar, por të servirur më parë përmes “korrierëve” që dalin e hyjnë te “Stacioni i Trenit” si gjellë qensh, u vendos nga prokurori dhe gjyqtari pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar”, u shpreh Rama.
“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër, dhe fatkeqësisht i bërë zakon nga grupet hetimore të “stacionit të trenit”, që përdorin mediet si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngriheshin dallgët e urrejtjes dhe të zienin 700 tenxhere”, tha ai.
“E di që dhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore të Belindës dhe skuadra e saj në territor, burojnë nga fuqia që ajo kishte. Kjo do të mbetet për t’u parë në zgjedhjet e ardhshme ku ajo do të vijojë të drejtojë qarkun”, tha Rama

