E nderuara Prefekte,
Në mbështetje të nenit 114 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ju bëjmë thirrje të ushtroni kompetencën tuaj për kontrollin e ligjshmërisë dhe të mos konfirmoni vendimin e Këshillit Bashkiak i Vlorës për krijimin e shoqërisë “Vlora Invest Sh.p.k.” nga Bashkia e Vlorës.
Baza ligjore e shqetësimit:
Neni 9 dhe neni 54 i ligjit nr. 139/2015
Përcaktojnë se këshilli bashkiak ka kompetencë ekskluzive për administrimin, tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronës publike vendore.
Çdo delegim kompetencash që cenon këtë rol përfaqësues përbën shkelje të parimit të autonomisë vendore të ushtruar përmes këshillit.
Neni 115 i Kushtetutës
Parashikon se prefekti kontrollon ligjshmërinë e akteve të organeve të vetëqeverisjes vendore dhe i kthen ato për rishqyrtim kur konstaton mospërputhje me ligjin.
Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”
Kërkon transparencë të plotë për çdo akt që prek pasurinë publike.
Ligji nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”
Nëse shoqëria do të veprojë jashtë rregullave të prokurimit publik, ekziston rreziku i shmangies së konkurrencës dhe transparencës.
Ky vendim ngre shqetësime serioze lidhur me:
1-Delegimin e kompetencave mbi pronën publike përtej kufijve të parashikuar nga ligji;
2-Dobësimin e rolit kontrollues të Këshillit Bashkiak mbi asetet e qytetarëve;
3-Mungesën e garancive të mjaftueshme për transparencë dhe mbikëqyrje financiare;
4-Rrezikun e dhënies në përdorim të pasurive publike pa mekanizma të qartë kontrolli demokratik.
Pronat publike të Vlorës, plazhet, hapësirat turistike dhe asetet komunale, janë pasuri e qytetarëve dhe duhet të administrohen me standardet më të larta të ligjshmërisë dhe transparencës.
Partia Lëvizja e Legalitit kërkon,
1-Verifikim të plotë ligjor të statutit dhe kompetencave të shoqërisë së propozuar;
2-Mos konfirmoni vendimin e Këshilli Bashkiak i Vlorës për krijimin e shoqërisë “Vlora Invest Sh.p.k.” nga Bashkia e Vlorës.
Prefekti është garant i ligjshmërisë, ai nuk duhet të jetë noter formal i ëdo vendimi.
Me respekt,
Partia Lëvizja e Legalitetit


