SHBA-BE kanë shtuar deklarimet qortuese për pavarësinë e gjyqsorit, për ndërhyrjen e ekzekutivit në sistemin e drejtësisë. “Balluku” është ndërkombëtarizuar si rast duke zyrtarizuar edhe luftën e Edi Ramës ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme.
Lajmërimi për ndryshime të Kodit të Procedurës, nenin 244, për të mbrojtur veten dhe qeveritarët nga hetimi, e gjatë rrugës ndryshime të tjera, të cilat nuk kanë kufizim se nuk do të ndërhyjnë edhe në Kushtetutë. Rama përfshin në ndryshimet e lajmëruara të Kodit, Presidentin, ndonëse Kushtetuta ka parashikuar rastet kur Presidenti bëhet subjekt i hetimit.
Ndaj dhe përpjekja tinzare e Ramës ka të bëjë me të, me sigurinë dhe paprekshmërinë për veten, sepse për Ballukun ndryshimet nuk mund të kenë fuqi prapavepruese. Kjo edhe pas asaj çfarë u shpreh Gjykata Kushtetuese, në pamundësi të krijimit të një precedenti, më pas unifikues, ku edhe kjo gjykatë supreme dukshëm shfaqet e nënshtruar. Sepse, ndryshe nga vendimi i parë, favorizues për Ballukun, ku vendimi saktësonte se hyn në fuqi menjëherë dhe publikimi u bë në dy orë kohë, këtë radhë kemi tjetër sjellje.
Kushtetuesja këtë herë, shprehet se hyrja në fuqi ndodh pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Kështu merr 30 ditë kohë për arsyetimin, pasi i tillë duhet vendimi për publikim, shto edhe 15 ditë të tjera në kohë ekstreme për publikimin. Me kaq mjaftojnë ditët që kërkesa e SPAK të bjerë për arsye afatesh dhe Prokuroria duhet të ribëjë një përpjekje të dytë drejt Kuvendit.
Ndërkohë e pandehura merr 45 ditë të tjera mundësi prishje provash e dëmtim të hetimit. Ashtu siç u konstatua nga SPAK, intimidimi i një dëshmitarje, duke e cilësuar Ballukun rrezik serioz për prishje të hetimit. Regjia e zyrës së të pandehurit potencial Edi Rama po llogarit edhe minutat. Shumica në Parlament kontrollohet nga të pandehurit. Në seancën e të enjtes, zelli për të shamatuar sallën, u ishte dhënë përfaqësuesve të grupit parlamentar të Amerikës Latine me logo të PS, ekuadorianëve, kolumbianëve, meksikanëve e venezuelasve.
Por, si gjithnjë ata kanë një plan djallëzor kundër drejtësisë që kanë nisur ta ekzekutojnë. Inspektime nga projekti “Xhafa” në SPAK, refuzuar deri më tani, kontroll të KLP, e KLGJ, sepse ILD është e vetëanuar. Holandezët, gjermanët, austriakët, belgët, por edhe vende të tjera, kanë thirrur KM në Bruksel tre ditë më parë, duke i thënë prerazi se këto ndërhyrje në reformën e drejtësisë, do të pasohen nga sanksione si ndërprerje të integrimit.
Komisioni Evropian kërkoi shqyrtim të menjëhershëm të kërkesës së Strukturës së Posaçme për imunitetin dhe arrestin e Belinda Ballukut. Kjo pasi Rama pohoi se nuk do votohej imuniteti i zëvëndëses së tij dhe kishte kohë me nge për tu menduar.
Në Tiranë mbërrin në këtë moment vlimi të përballjes së qeverisë me drejtësinë, Mark Tervakoski, drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit. Adresa kryesore e vizitës së tij natyrisht ishte Prokuroria Speciale.
Pas refrenit se gjyqsori është i pavarur, ndër të tjera ata theksuan se “Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë po tre ditë më parë theksoi rrezikun e dëmtimit të ndjeshëm të bizneseve nga AKSHI, përjashtimin e kompanive amerikane në gara ekonomike, ndonëse janë të certifikura për nga siguria si punëmarrës të qeverisë amerikane, duke sjellë kështu dëme të ndjeshme dhe cenim të sigurisë kombëtare të dy vendeve.
Kjo luftë nuk bëhet vetëm për Ballukun. Bëhet për Ramën, sepse Balluku ka në dorë kryeministrin duke e marrë peng me material shtrënguese. Ky peng tani është kundër Uashingtonit dhe Brukselit. 11 procedura prokurimesh në dosjen e saj deri tani janë 1.2 miliard euro investigim.
Jo më pak se 9 miliardë euro shpërdorime ka nxjerrë Kontrolli i Lartë i Shteti nga auditimet e tij. Transparenc International, në prezantimin e indikatorëve të perceptimit të korrupsionit, solli rënien e Shqipërisë me 11 vende, uljen me tre pikë, duke thelluar dukshëm keqbërjen.
Mafia nuk e lëshon, ai nuk ikën dot!

