Lajmin e bën me dije vetë Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Reagimi i Spiropalit në rrjetet sociale:
🇦🇱🤝🇪🇺Prita në një takim sa miqësor aq edhe përmbajtësor, Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, një zë i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
👉Diskutuam mbi rolin e veçantë të Parlamentit Europian në monitorimin e negociatave të anëtarësimit, rëndësinë e raportit të ardhshëm për Shqipërinë në konsolidimin e perceptimit pozitiv mbi progresin e arritur dhe në orientimin e hapave të mëtejshëm të procesit.
👉Bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe për angazhimin e palëkundur e të vazhduar të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, si dhe në përafrimin e vazhdueshëm me vlerat, politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Europian.
👉Në këtë kuadër, u ndalëm edhe tek perspektiva e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve, duke e vendosur Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit.

