Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ditën e sotme ka dhënë urdhrin e parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin në detyrë.
Ai ka urdhëruar nisjen e përgatitjeve për festat e fundvitit në kryeqytet.
Sipas dokumentit zyrtar, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, “duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim”.
Në urdhër theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420, datë 8 qershor 2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, do të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.

