Kuvendi do të mblidhet këtë të hënë në orën 10:00 për seancën e radhës plenare, e cila pritet të jetë maratonë për shkak të raportimeve të institucioneve të drejtësisë.
Në fillim të seancës është parashikuar ngritja e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Për këto komisione, maxhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësi për barazinë mes anëtarëve, bashkëkryetarëve dhe marrjen e ekspertizës ndërkombëtare, aty ku do të jetë e nevojshme.
Më pas, në rendin e ditës është raportimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2024.
Pas tij, pritet të raportojë Altin Dumani për veprimtarinë e institucionit që ai drejton.
Më tej, Artur Metani do të paraqesë raportin e ILD-së, si dhe raportet e KLGJ dhe KLP.
Në seancë nuk do të jetë i pranishëm Gazment Bardhi, i cili është përjashtuar për dy javë pas përplasjes në seancën e kaluar me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.
Bardhi i ka dërguar një shkresë zyrtare Peleshit, ku i kërkon të shmangë çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës.
“Çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo i interpretimit 34-vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizmit dhe asgjësim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës,” – thuhet në letrën e grupit të PD-së.

