Një krismë që s’duhej të dëgjohej kurrë, por që u dëgjua sepse askush s’kishte më zë.
(Plumb shtetit. Një frazë që e dëgjojmë rëndomë vitet e fundit. Një frazë thënë në mënyrë subkoshienciale, kur qytetari mbetet vetëm përballë xhunglës së shtetarëve. Kjo logjikë alogjike, që çoi në vrasjen e një gjyqtari dhe burgosjen e një 31-vjeçari.)
31-vjeçari që ekzekuton gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Kjo nuk është thjesht një ngjarje kriminale. Është krisja e fundit e një sistemi që s’e duron më peshën e vet. Në atë sallë nuk u qëllua vetëm një njeri; u qëllua iluzioni se kemi ende shtet, drejtësi, apo besim në to.
Plumb shtetit !
Sepse kur drejtësia bëhet mur, kur njeriu trajtohet si numër dosjeje, kur shteti mbron vetëm vetveten, krisma bëhet pasojë, jo rastësi. Ai plumb nuk doli nga një dorë e huaj; doli nga barku i një shoqërie të lodhur, që nuk gjen më rrugë tjetër për t’u dëgjuar.
Shteti që s’e dëgjon qytetarin, e dëgjon plumbin.
Kemi ndërtuar një sistem ku padrejtësia është bërë përditshmëri dhe ligji ka humbur baraspeshën morale. Gjykatat janë kthyer në skenografi formale ku drejtësia shpallet në emër të popullit, por kundër tij. Dhe kur besimi vdes, lind dëshpërimi.
Plumb shtetit!
Kjo frazë nuk është thirrje për dhunë, por diagnozë. Është rrëfimi i një kombi që po humbet sensin e rendit, të moralit dhe të shtetit ligjor. Dhe në këtë rrëfim, faji është i shumëfishtë: i pushtetit që sundon me arrogancë, i sistemit që korrupton, i politikës që hesht.
Opozita dhe shoqëria civile: të mbyllura në komoditet
Plumb shtetit!
Por ndërsa plumbi krisi në sallën e gjyqit, opozita u mor me vetveten. Një opozitë që ka harruar të jetë zë, që ka frikë të thërrasë për drejtësi, që e përzien kauzën me llogaritë elektorale. Kur drejtësia vret besimin, opozita duhet të bërtasë, jo të kalkulojë.
Shoqëria civile? Pre e projekteve dhe raporteve. Të gjithë flasin për reforma, por askush nuk jeton me pasojat e mungesës së tyre. Dhe kështu, heshtja bëhet bashkëpunëtore. Një vend që s’ka më zë moral, s’ka më mbrojtje.
Kur drita fiket, refreni mbetet
Ky vend nuk ka nevojë për më shumë “plumba shtetit”, por për më shumë njerëz që ta ndalojnë përpara se të ndodhë.
Të ndalojnë padrejtësinë, arrogancën, papërgjegjshmërinë e atyre që mendojnë se janë të paprekshëm. Të ndalojnë këtë lloj harrese kolektive që na ka mësuar të rrimë spektatorë teksa shteti vret shpresën.
Plumb shtetit!
Ky refren duhet të na tronditë, jo, ‘të na mësohet vesh’i’. Sepse nëse ky vend Ka mbërritur aty ku qytetari i drejton armën shtetit, fajin nuk e ka vetëm ai që qëllon
Fajin e kemi të gjithë, me heshtjen tonë, me përkuljen tonë, me indiferencën tonë.
Dhe kur shteti bie, nuk bie vetëm për një njeri.
Bie për të gjithë.
Plumb shtetit!!!

