Kamza po ndryshon çdo ditë, dhe jo për mirë. Çdo hapësirë e gjelbër, çdo vend ku fëmijët luanin, ku rinia mblidhej, ku qyteti ruante kujtime të vogla por të çmuara, po zhduket nën betonin e ndërtimeve. Stadiumi i qytetit, simboli i sportit dhe i historisë sonë kolektive, po rrethrohet me beton.
Kryetari i Bashkisë, z. Rakip Suli, i zgjedhur me proces elektronik dhe inteligjencë artificiale, po shkel me këmbë çdo normë, çdo ligj dhe çdo vlerë qytetare. Vetëm 50 metra larg Bashkisë dhe komisariatit të policisë, ai lejon që punimet të bëhen pa tabela, pa konsultim publik dhe në kundërshtim me interesin e qytetarëve.
E çuditshme dhe tronditëse është heshtja e atyre që pretendojnë se janë kundërshtarë politik të tij. Disa, që me firmat dhe vendimet e tyre për projekte urbanistike kanë mundësi të ndalojnë këto shkatërrime, zgjedhin të heshtin ose të sulmojnë ata që kërkojnë të mbrojnë hapësirat publike. Heshtja jonë sot është një akt që do të na ndjekë dhe do të denohet nga brezat që vijnë.
Nuk ka asnjë justifikim për të ndaluar drejtësinë dhe interesin publik. Ata që përpiqen të pengojnë qytetarët përmes kallëzimeve apo sulmeve administrative, duke u fshehur pas detyrave të tyre si drejtues urbanistikë, mund të vonojnë drejtësinë, por kurrë nuk do të shpëtojnë nga përgjegjësia morale dhe qytetare.
Ky nuk është thjesht beton mbi tokë. Ky është betoni mbi historinë tonë, mbi fëmijët që do të rriten pa hapësira për lojë dhe sport, mbi qytetin që po humbet shpirtin e tij. Kamza meriton më shumë. Kamza meriton të rritet me gjelbërim, me kujtime, me identitet – jo të shndërrohet në një betonierë pa emër dhe pa shpirt.
Tani është koha të reagojmë, të flasim, të mos lejojmë që historia jonë të zhduket. Sepse çdo hapësirë e humbur sot, është një dhimbje që brezat e nesërm nuk do ta harrojnë.



