Diplomati Abdi Baleta është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Lajmin e hidhur e ka dhënë bashkëshortja, Linda Baleta, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Me pikëllim njoftojmë se sot u nda nga jeta bashkëshorti dhe babai ynë, Abdi Baleta. Për shumëkënd ishte diplomat, gjykatës, politikan, zë i fuqishëm për kombin. Për ne ishte burrë i thjeshtë e i drejtë, bashkëshort, baba e gjysh që na mësoi me shembullin e tij. Dëlirësia dhe dinjiteti dhe forca e karakterit ishin tiparet e tij. Ai besonte tek nderi, tek dashuria për familjen e për vendin. Ia kthejmë sot Zotit jetën e tij, me falënderim për të gjitha që na dha, si dhe trashëgiminë që ka lënë pas. Qoftë kujtimi i tij i bekuar për të gjithë ne që e deshëm. Pastë dritë shpirti yt, babi! Varrimi bëhet të shtunën, data 20. 09. 2025. Nisja nga shtëpia funerale Alba 2000, Rruga e Durrësit, në orën 12:00. Varrimi bëhet në Tufinë. Vizitat i presim në shtëpinë funerale Alba 2000, Rruga e Durrësit, të dielën, të martën, të mërkurën, të enjten dhe të premten, nga ora 10:00 – 13:00 dhe 17:00 – 20:00. Bashkëshortja Flutura, vajzat Teuta dhe Lindita, dhëndrri Përparimi, mbesa Anda dhe nipi Agzimi”, njofton bashkëshortja.
Baleta u lind në vitin 1941 në fshatin Gur Bardh të Matit.
Ai studioi marrëdhënie ndërkombëtare në Moskë dhe më pas përfundoi studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.
Deri në vitin 1983 shërbeu si përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.
Më pas, ai mori detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit në Pogradec (1983-1987) dhe kontribuoi në arsimin juridik si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë (1987-1995).
Baleta u përfshi aktivisht në lëvizjen pluraliste në dhjetor 1990.
Ai u zgjodh deputet nën siglën e Partisë Demokratike në 31 mars 1991 dhe në 22 mars 1992, mbajti mandatin e deputetit deri në vitin 1996.
Në vitin 1994 ai u largua nga PD dhe krijoi formacionin politik me emrin “Rimëkëmbja Kombëtare”.


