Ish-Presidenti i SHBA-së, Donald J. Trump, ka dërguar një letër të fortë për të gjitha vendet e NATO-s dhe komunitetin ndërkombëtar, ku kërkon vendosjen e sanksioneve të mëdha ndaj Rusisë dhe ndërprerjen e blerjes së naftës ruse.
“Jam gati të veproj sapo të gjitha vendet e NATO-s të dakordohen dhe të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia,” shkruan Trump, duke theksuar se angazhimi aktual i Aleancës ka qenë shumë nën 100%. Ai shton se blerja e naftës ruse nga disa vende dobëson fuqinë negociuese ndaj Moskës.
Në letrën e tij, Trump propozon gjithashtu vendosjen e tarifave prej 50 deri në 100 për qind ndaj Kinës, të cilat sipas tij duhet të hiqen pasi të përfundojë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai argumenton se Kina ka ndikim të madh mbi Rusinë, dhe këto tarifa do ta dobësonin atë kontroll.
Trump e cilëson konfliktin si “luftë e Biden-it dhe e Zelenskyy-t”, duke insistuar se ai është i gatshëm vetëm të ndihmojë në ndalimin e saj dhe shpëtimin e jetëve të mijëra ushtarëve dhe civilëve. Ai thekson se vetëm javën e fundit u humbën 7,118 jetë, duke e quajtur situatën “të çmendur”.
Sipas Trump-it, nëse NATO vepron sipas sugjerimeve të tij, lufta do të përfundojë shpejt dhe do të shpëtohen shumë jetë. Përndryshe, ai paralajmëron se vetëm do të humbasë kohë dhe burime.


