Nesër do te vërshojnë lajmet për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste. Do të flitet për të larguarit nga qeveria për të preferuarit dhe të ardhurit rishtazi.
Deviza që ofron sot Partia Socialiste është individi. Aty flitet për përgjegjësi Individuale ndërsa vizionari i vetëm i çdo reforme është po ashtu një individ , Lideri .
Nuk ka nevojë për ndonjë aftësi të madhe intelektuale, për të vëzhguar mënyrën sesi funksionon mazhoranca. Praktikisht komoditeti i dakordësisë pa asnjë debat, është i pa rezistueshëm në grupin socialist. Kërkesa “e familjes së madhe” ndaj çdo anëtari është dakordësia, dhe anëtarët duhet të jenë të gatshëm ofrojnë vetëm atë, nëse janë me fat e nuk do t’ju kërkohej tjetër gjë. Asambleja apo kryesia socialiste janë sot “buqeta” me profile të heshtura anëtarësh, të cilët pranojnë pa ekuivok si informacionin më të drejtë, njohurinë më të saktë, apo vendimmarrjen më të mirë atë që ofron Lideri.
Duke mos ushtruar fjalën, anëtarët e familjes socialiste kanë hequr dorë nga ushtrimi i të menduarit. Pamundësisë për të qenë të lirë i kanë veshur ” kostumin” e mirënjohjes ndaj liderit dhe familjes socialiste.
E pra nesër, përtej kuriozitetit sipërfaqësor të publikut të ngjashëm me atë se kush i bleu trëndafilat e Luanës , ankthit të antarëve aktual të qeverisë dhe suspancës në fjalimin e Liderit çudia do të zgjat vetëm disa orë .
Asgjë nuk ndryshon dot më . Ministrat që mund të lenë zyrat, do të varin një fotografi tek muri i ministrive, si e vetmja shenjë për t’u mos harruar nga njerëzit që drejtuan për disa kohë.
Ministrat e rinj do të hyjnë në skuadër me të njëjtat objektiva njësoj si ato që ikin.
Ata do të duhet të shohin veç dritë të shkëlqyer, edhe të bëjnë atë që u kërkohet .
Ndërsa ata/ato më eficentët në përmbushjen e detyrave edhe në menaxhimin e fondeve kanë më shumë shanse që një ditë të mbajnë “përgjegjësi” individuale .
A ka ndonjë rëndësi a do jetë Bora më ministre? Apo kush do të zëvendësojë Delinën Albanën apo Majlindën ?
A di më njeri ku ndodhet Gent Cakaj, ish Ministri gjeni edhe sekretari i përgjithshem i rinisë së partisë socialiste ? Po ish zv / Kryeministrja Senidë?
Për publikun çdo emër që do të shqiptojë nesër kryetari nuk mbart më asnjë rëndësi, por edhe fryma brenda të majtës tregon që emrat janë tërësisht të parëndësishëm. Ato nuk krijojnë më asnjë reagim as brenda asamblesë socialiste e cila ka do vite që ushtron vetëm pyetjen kush është kjo / ky ?
Ndryshimi i emrave në fakt është e vetmja mundësi e mbetur që lideri dominues ka për t’u përshfaqur si lider transformues , ose sic kanë qejf ta quajnë ketë proçes disa analistë të oborrit ” të rishpikë vetveten “!

