Nga ing. Abdulla Diku
Me 58,000 hektarët e djegur deri tani, është thyer rekordi i 18 viteve (që nga 2007) sa i përket sipërfaqes se djegur ne Shqipëri.
Teksa dëgjojme retorika se zjarret bien kudo, po krahasojme sipërfaqen e djegur – përkundrejt sipërfaqes pyjore të vendit dhe asaj totale, të disa vendeve të rajonit dhe te tjera.
Shqipëria rezulton se është vendi më i prekur nga zjarret në vitin 2025. Si ne raport me siperfaqen pyjore ashtu dhe në raport me territorin, përqindja e sipërfaqes së djegur është më e larta në rajon.
Më dramatike është situata tek pyjet dhe kullotat e vendit: 5.08% e tyre janë djegur, duke e vendosur vendin tonë në krye të listës, shumë përpara fqinjëve.
Në krahasim, ne Maqedonine e Veriut jane djegur dy herë më pak, ne Serbi pesë herë më pak dhe ne Bosnja & Herzegovine pothuajse tre herë më pak se tek ne.
Kur krahasohemi me Francën apo Spanjën, diferenca është akoma më e madhe – aty zjarret ekzistojnë, por kontrollohen shpejt dhe dëmet janë minimale.
Ndërsa Franca regjistron vetëm 0.2% të pyjeve të djegura, Shqipëria është 20 herë më keq. Diferenca lidhet drejtpërdrejt me investimet. Europa shpenzon miliarda Euro për mbrojtjen e pyjeve, Shqipëria thuajse asgjë.
Rezultati është i qartë: atje zjarret janë incident, këtu janë një krizë.
E njëjta gjë nëse krahasojmë sipërfaqen e djegur përkundrejt sipërfaqes totale të vendit, ku Shqipëria kryeson dukshëm, për keq – kuptohet.
Këtu del se në raport me Greqinë psh., sipërfaqja e zjarreve tek ne është rreth gjashtë herë më e lartë se atje. Po ashtu, është tetë herë më shumë se në Serbi.
Zjarret nuk janë më thjesht një dukuri natyrore në Shqipëri.
Ato janë bërë një plagë e përvitshme, që po shkatërron pyjet, ekonominë dhe cilësinë e jetës.
Po, zjarret bien kudo.
Por në Shqipëri djegin më shumë se kudo tjetër, sepse këtu ato nuk janë thjesht një dukuri natyrore, por pasojë e një mungese të thellë parandalimi, perkujdesje, dhe investimesh.
Nuk duhet lënë pa përmendur fort edhe fakti që lidhet me paaftësinë e bashkive: mungesë e stafit pyjor, mjeteve, koordinim i dobët, përgjigje e ngadaltë dhe shpesh indiferencë. Shumë prej tyre reagojnë vetëm pasi flakët janë bërë të pakontrollueshme, duke e lënë parandalimin dhe menaxhimin e pyjeve në harresë dhe neglizhencë totale.
Ajo qe eshte me e rendesishmja ne kete histori eshte fakti se nuk ka asgjë për tu krahasuar me vendet evropiane, pasi buxheti atje për rigjenerimin e pyjeve është mijëra herë më i lartë se tek ne. Por nuk krahasohemi dot asgjekundi edhe me vendet fqinje pasi ne pyje investohet shume me shume se tek ne, ku bashkite e kane thuajse cdo vit ZERO buxhetin per pyjet, dhe kjo shihet menjehere tek situata e zjarreve.
Duhet fuqizuar Agjensia Kombëtare e Pyjeve, duhet ri-kthyer personeli pyjor në punë, si dhe centralizuar sektori pyjor në Shqipëri.
Dhe nëse nuk ndryshon qasja ndaj sektorit pyjor, çdo verë do të jetë një përsëritje e së njëjtës histori: Shqipëria që digjet dhe shteti që justifikohet pas flakëve, ndërsa rezultati gjithnjë e më tragjik.

