Ministria e Arsimit shpalli me bujë hapjen e 30 shkollave të reja, ndërsa qindra të tjera – edhe ndërtime të viteve të fundit – janë braktisur e lënë të shndërrohen në skelete betoni. Është i njëjti skenar paradoksal: fasadë, shirita të kuq inaugurimi, kamera televizive, qindra shpërndarës të rrjeteve sociale; propagandë dhe përtej kësaj, realiteti i arsimit që prej vitesh shfaqet si një gërmadhë e madhe bosh. Gjithçka sipas parimit: fasadat të ndërtohen me shumë zell, përmbajtja të rrënohet çdo ditë.
Shqipëria, kampione e ikjes
Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se afro 10% e shqiptarëve synojnë të emigrojnë në harkun kohor të një viti. Ndryshe nga vendet e rajonit, ku dëshira për emigrim është në rënie, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të ikjes së popullsisë. Ndërsa qeveria ndërton shkolla për t’u dukur, fëmijët i braktisin, sepse prindërit e tyre nuk gjejnë të ardhme këtu, ndërsa partia shtet mburret me ndërkombëtarizimin në arsimin e lartë, të rinjtë zgjedhin rrugët e botës dhe ne humbim ditë pas dite ripërtëritjen e kombit.
Realiteti kundrejt propagandës
Në vend të mburrjeve me inaugurime dhe medaljeve propagandistike që mbajnë miliona euro nga xhepat e qytetarëve të hedhura në kosh, Ministria e Arsimit duhej të kishte sjellë një strategji për rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar e universitar, për ndalimin e braktisjes së arsimit të detyruar dhe rritjen e numrit të nxënësve që ndjekin atë të mesëm, për sigurinë në shkolla, reduktimin e klasave kolektive, për zbutjen e pabarazisë dhe diskriminimit të nxënësve të zonave më të rrezikuara nga shpopullimi, më të varfra të vendit dhe të grupeve të disfavorizuara, për mbajtjen e maturantëve këtu, që të mos shohin universitetet e huaja si rrugë të vetme shpëtimi, për kthimin e trurit e të tjera plagë të hapura të arsimit. Këto presin nxënësit dhe prindërit; fëmijët kanë nevojë për dije; prindërit duan shpresë dhe besim për të jetuar në vendin e tyre. Këto tema nuk bëjnë foto të bukura e nuk janë për imazh politik, por janë thelbi i arsimit – thelbi që mungon.
Shkollat si monumente shpopullimi
Hapja e shkollave të reja në këtë vend që po zbrazet e po shpopullohet me ritme marramendëse, përtej propagandës, është skërmitje e rëndë që i jepet qytetarëve për fillimin e vitit shkollor. Më shumë se 800 shkolla gjatë 12 viteve janë shndërruar në monumente të shpopullimit. Dhe këto monumente, për fat të keq, po shtohen edhe me shkollat e reja, edhe me shkolla që ndodhen në qendër të qyteteve, duke na treguar vetëm humbje e dështime, si dhe fakte të hidhura të boshatisjes sonë kombëtare.
Ndërsa popullsia pakësohet, gjë që as të dhënat zyrtare të Censit nuk arritën ta kamuflojnë, qeveria ngre fasada shkollash të reja me klasa bosh. Kujt i duhen shkollat e reja, kur nxënësit po ikin bashkë me mësuesit dhe prindërit e tyre?! Miliona euro që derdhen në investime propaganduese do ishin të frytshme nëse do të shkonin qoftë edhe tek një nga problemet e rënda të arsimit, që gjithkush nga ne, në rolin e nxënësit, mësuesit, prindit apo qytetarit të thjeshtë i ka provuar. Do të qe punë e mirë fort, sikur të shkonin, për shembull, për pajisje smart për mësuesit që të punojnë në sistemin Smip, ose për t’i kthyer mësuesve të diskriminuar nga paga e grupit të drejtën e mohuar, apo si mbështetje sociale e familjeve për të mënjanuar braktisjen e shkollës nga fëmijët e tyre dhe sa e sa probleme.
Panorama e arsimit tonë edhe këtë vit shkollor me ngrehina të bukura dhe klasa bosh mund të qëndroje vetëm në programin e një Shqipërie që po shndërrohet në territor multietnik, pa qytetarë të saj, që, sërish për fat të keq, nuk duket e largët.
Nesër mund të zgjohemi në një vend të zbrazur, ku skeletet e shkollave të reja do të mbeten vetëm si dëshmitarë të heshtur kujtese të ikjes sonë kolektive.



