Ndoshta s’ka me qenë as herët, as vonë
kur timpanin tonë ta rrahë nji kumbonë
me na galdue mes agut, mes pragut,
se nji mal u bâ babagjysh n’jetën tonë.
Shestime të shkathëta do turren përjashta,
apatitë do shkulen vështrimesh të flashkëta –
Ndër gryka e rrahe do derdhet qindfish
rrëfimi i malit që u bâ babagjysh.
Atëherë do vikasim në rrëzë e në majë,
me barrët e brengave do qajmë në pllajë,
do ngjitemi me klithmën si zhiva në parzëm
drejt Majës që duket e zhduket – fantazëm –
do hyjmë djersitun prej ankthit, prej mundit
ndër angrrat ku mali fsheh p’rrallën e fundit.
Të mençur do jemi nën dritën e saj…
Përqafe me malin-babagjysh, pastaj
botën përposh ta kqyrim një grimë –
ç’prej majës që shtjellet kulm dhe greminë.
Vallë ka me qenë vështrimi ynë ma i qetë,
solidar, i përunjur si luzma me bletë?
A mos hobé gurësh do derdhet rrëmbim
orteqesh idhnakë, shpatínë më shpatínë,
dhe ura të thyejë, dhe gropa të hapë
se s’don babagjyshin me e braktisun prapë?
Eh, gjer atëherë kur kumbona bie,
koha do shtrojë mullarë me hije;
tingujt do shuhen dhe dylli viskoz
ka me na topitë dëgjimin, nëmos
ka me na kallë në një had monologu
ku trupat dhe shpirtnat dhe zanet, së toku,
mes përpëlitjesh, delirit tonë,
praptaz, gaforre, do sillen gjithmonë
dhe kush s’ka me ndie asnji kumbonë…
2009

