Në vend të flitet se në Shqipëri kemi një media (me qëllim të dedikuar informativ) më pak – duke rezultuar në më pak burime informimi për qytetarin, diskutimi po kanalizohet në sulm individual ndaj pronarit të medias, përdorimit të saj për interesa të bizneseve personale, zaptimit nga televizioni e një prone që është e publikut apo raportit të medias në respektimin e të drejtave të gazetarëve.
Më të devotshmit, të cilët pranojnë me modesti rolin e gjykatësit publik, e kanë çuar çështjen dhe më thellë. Kanë marrë në analizë cilësinë e produktit që është transmetuar në këtë kanal për vite me radhë dhe na thonë që informacioni i dhënë ka qënë i anshëm dhe i ndikuar nga interesat ekonomikë.
Një pjesë e mirë e atyre që bëjnë këtë analizë harrojnë një nga kriteret kryesore të metodologjisë së arsyetimit në literaturën moderne: kontekstin. Jetojmë në një sistem kapitalist të bazuar në ekonominë e tregut. Është utopi të mendosh që një individ e sidomos një entitet, mund të mbijetojnë nëse le mënjanë interesat ekonomikë. Po të hysh e të kërkosh në pjesën më të madhe të mediave private në vendet perëndimore- do të gjesh pafund konflikte të etikës së raportimit për shkak të interesave që ka korporata që e zotëron.
Në Shqipëri ne kemi probleme të tjera dhe ato që shkelin etikën janë më të voglat. Në Shqipëri mediat shkelin standardet e raportimit! Çensurojnë, nuk raportojnë fare, mbajnë anë, transmetojnë materiale të gatshme që vijnë nga zyra e shtypit pa i bërë fact-checking informacionit të sërvirur – dhe madje kemi raste ku qëllimisht është publikuar material i rremë për shkak të interesave të pronarit. Në këtë tablo të gjitha televizionet mund të quhen mëkatare, dhe News 24 nuk renditet i pari.
News 24 gjithashtu nuk është televizioni i vetëm që ka ambientet në godinë shtetërore. TV Klan, ABC News, Tv Scan dhe Ora News janë të vendosur në ambientet e ish-Kinostudios, një pjesë e të cilës është ende pronë publike e një pjesë është privatizuar me çmime qesharake duke shfrytëzuar një hapësirë ligjore që i lejon qiradhënësit të marrë me çmim reference pronësinë nëse investimi privat kalon vlerën. A është mbrojtur këtu interesi publik? Aspak. Interesi publik mbrohet duke i qëndruar rigoroz ligjit për administrimin e pronës publike, që njeh si procedurën më efiçente zhvillimin e ankandit në momentin që merret vendimi për ta privatizuar. Të tjerat janë shpikje për të justifikuar favorizimet që pushteti i ka bërë rrethit të tij në dëm të publikes.
I ngjashëm është rasti i godinës që është vendosur televizioni Report Tv, ku toka është dhënë me qira 1 euro apo vendime të tjera që kanë falur prona në bregdet për pronarët e televizioneve. Së fundi Komiteti i Investimeve Strategjike ka shpallur projekt me status “special” një kullë në kryeqytet dhe pse kompania nuk ka lidhur ende marrëveshje me pronarët e tokës, e këta të fundit janë vënë nën presion për shkak të këtij vendimi. Aksionere në këtë projekt është një nga pronaret e Top Chanel.
Shtrimi për debat i respektimit të të drejtave të gazetarëve në përputhje me Kodin e Punës është i drejtë, por sot nuk ishte dita për të ngritur këtë shqetësim. Madje paradoksalisht ata që po dënojnë vonesat në paga e sigurime të gazetarëve, po bien dakord me vendimin e qeverisë për t’i lënë të papunë.
Ndaj kush po e kanalizon sot mbylljen e News 24 në një çështje personalo-morale të pronarit të saj, po justifikon mungesën e një alternative informimi për publikun sepse shteti në Shqipërinë e vitit 2025 rrethoi me polici godinën një televizioni dhe i ndërpreu sinjalin.
P.S.
Në leksionet e para të gazetarisë, studentëve i mësohet se nuk ka të vërtetë absolute, se raportimi ka standarde, por nuk ka media pa politikë editoriale dhe se publiku ia del të marrë informacion të paanshëm kur ka qasje informimi në shumë burime mediatike!

