Në vend të pushimeve, pushohen nga puna: pedagoge, gazetarë, aktorë e specialistë. Surrealitet shqiptar, verë 2025,
Pa dyshim janë shumë të rënda faktet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për çdo profesionist – por pushimi i artistëve – simbol i shpirtit të lirë; i universitarëve- përfaqësuesve të mendimit të lirë e kritik, të intelektualevë të pavarur, ndërtuesve të së ardhmes së kombit, pushimi i gazetarëve të njohur- simbole të përcjelljes së së vërtetës, të informimit të publikut për gjithë sa ndodh, pa fshehur e pa lustruar gjë – tre kulme domethënëse që nuk përbëjnë më shenja, por zezona dëshmuese të shkërmoqjes së demokracisë.
Pushimi i Alba Alishanit, një plotni e bukur e përmbajtjes me formën dhe i Erion Dushit qartësisht dëften për këdo dhunën e partisë-shtet, censurën dhe goditjen fatale të fjalës së lirë në vend.
Janë goditur dy profesionistë me integritet të lartë, dy misionarë të përcjelljes të së vërtetës që e blenë atë me vendin e punës.
Kam qenë disa herë në studio me Erionin, tek i cili, me gjithë modestinë e përkorë, spikat njohja e thellë e problematikës, qasja tërësisht profesionale, kultura e gjerë dhe sigurisht veçoritë e ligjërimit që e ngrenë gazetarin mbi nivelin nacional.
Rrëfimet–parabola (dhe jo vetëm këto) goditën në shënjestër trajtën antropomorfe dhe pikërisht sepse shënjestruan, u bënë të rrezikshme.
Diktatorët duan vetëm duartrokitës, përndryshe hesht e në mos, Kodi është burg.
Liria e shtypit konsumoi edhe këtë akt të fundit e nga ana tjetër ky është vetëm prologu i Kodit të ri Penal – që sanksionon heshtje me ligj ose burg.
Në këtë skenë paszgjedhore me një vërshim të papërmbajtshëm rruspash për prishje biznesesh e godinash, për dorëheqje të drejtuesve vendorë; me statistika ndërkombëtare për mjerimin arsimor, ndërkohë që qeveria përpiqet të shpëtojë fasadën me numra të huaja- të gjitha këto bëma servirur në tortën nënshtruese të Kodit të ri Penal janë prova të pushtetit pafre për të mbyllur çdo zë të lirë, për të frikësuar çdo mendje që mendon ndryshe, për të ndrydhur çdo shpirt artistik, për të ngrirë në vend çdo fjalë që thotë të vërtetën.
Fshirja e zërave kritikë, transformimi i medieve dhe Kodi i ri penal, një paketë e plotë goditjesh ndaj profesionistëve, është prova se pushteti nuk ka më asnjë kufi, por vetëm etje për nënshtrim total.
Një furi post-zgjedhore për të legjitimuar 11 majin, po aq sa ofensivë për të fshirë nga vëmendja 11 majin.

