Një nxënës 18-vjeçar që punonte si kamarier, u dhunua brutalisht.
Me shumë gjasa, ai punonte gjatë verës për të qenë i dobishëm e për të krijuar të ardhura për veten, një mënyrë e të rinjve për të krijuar një farë pavarësie ekonomike nga familja.
Djali nuk u dhunua nga ndonjë bandë, as në errësirën e netëve të fundjavës në ndonjë rrugicë periferike, por nga drejtues të policisë së shtetit – nga ata që duhet të mishërojnë rendin, ligjin, sigurinë publike, dhe jo arrogancën, brutalitetin apo forcën e verbër.
Shteti i tij – që duhet të ishte mburojë dhe garanci për të – zgjodhi ta godasë.
Po boshatisemi ditë pas dite e po humbim çdo ditë të rinj që largohen në emigrim, ndërkohë ky shtet i detyron të largohen fëmijët që punojnë ndershmërisht, pasi i godet, i rreh, i poshtëron e dhunon vetëm e vetëm për t’i treguar se unë jam shteti, i fuqishmi, se këtu pushteti është forcë, ndërsa ti qytetari i zakonshëm — edhe kur punon ndershmërisht — je thjesht një “i vogël” që duhet të heshtë.
Të rinjtë largohen sepse këtu për ta s’ka vend, s’ka arsim, s’ka drejtësi, s’ka as punë sezonale, as mundësi minimale për të thurur jetë – s’ka të ardhme. Edhe kur ata përpiqen të punojnë ndershëm e të kontribuojnë si modelet më të mira për rininë e mbarë shoqërinë, shteti i poshtëron dhe i shtyp.
Dhe kur të rinjtë ikin, bashkë me ta ikën edhe e ardhmja, edhe shpresa.
U dhunua një nxënës — dhe bashkë me të, u fye dhe u godit rëndë dinjiteti i gjithë shoqërisë, sepse dhuna shtetërore mbi një të ri është akt dhune për të gjithë ne.

