Ai sapo ka mbushur 18 vjeç. Punon si kamarier në muajt e verës. Nuk ka vendosur të vjedhë. Nuk ka vendosur të mashtrojë. Ka vendosur të punojë.
Pikërisht se ka vendosur të punojë dhe të mos mashtrojë kënd, dhunohet në mes të ditës nga horra që bredhin lirshëm rrugëve.
Lotët e këtij djali janë dëshmi e mirëfilltë e një shoqërie që ka humbur çdo busull që e shpie te njerzillëku.
Një horr 40 vjeç që mat forcën me një djalë 18 vjeç.
E po t’i dëgjosh me kujdes fjalët e këtij djali e kupton mirë se para se të ndihet i goditur, ai ndihet i poshtëruar.
Dhe është pikërisht ky poshtërim që i bën njerëzit të ikin nga ky vend. Horrat i ke edhe në krye të institucioneve shqiptare. Njëjtë si horrat në videon e Vlorës, horrat nëpër institucione poshtërojnë këdo që përpiqet të punojë me dinjitet.
Post Scriptum- Shqipëria është kthyer në një Geto dhe ndaj shqiptarët ikin nga sytë këmbët sepse të punosh ndershmërisht do të thotë të poshtërohesh sistematikisht.
Elona Caslli

