Përgatiti: Simon Ulndreu
Njësitë speciale stërviten më shumë se të gjithë të tjerët dhe vetëm luftëtarët më të mirë i bashkohen ekipit. Njësitë speciale zotërojnë misione jashtëzakonisht të rrezikshme për jetën e tyre dhe shpeshherë edhe për jetën e publikut.
Lista e forcave speciale ndërkombëtare është e gjatë dhe disa vende kanë më shumë se sa një njësi speciale. Ato hyjnë në veprim kur gjërat agravojnë shumë. Sulmet terroriste, lirimi i pengjeve ose lufta kundër krimit të organizuar janë disa nga specialitetet e tyre.
Nuk ka asnjë renditje zyrtare të njësive më të mira në botë. Megjithatë, një konkurs ndërkombëtar zhvillohet në Gjermani çdo katër vjet në “Konferèncën e Lojërave Olimpike të Forcave Speciale”.
Lista e mëposhtme është një fragment i përmbledhur i forcave speciale, të vlerësuara nga ky konkurim ndërkombëtar, si më të përgatiturat në botë, :
1. GSG9 dhe SEK, Bayern i Jugut, Gjermani.
“Grenzschutzgruppe 9” (GSG 9) e Policisë Federale Gjermane, e cila organizon edhe “Lojërat Olimpike të Forcave Speciale”, është një nga njësitë speciale më të forta në botë. Njësia u formua në vitin 1972 në përgjigje të vrasjes së 11 atletëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut në vitin 1972. Ajo përdoret kryesisht kundër sulmeve terroriste, pengmarrjeve dhe për çaktivizimin e bombave. Një nga operacionet më të njohura të njësisë speciale ishte çlirimi i pengjeve nga avioni i Lufthansa “Landshut” në Mogadishu në vitin 1977. Avioni ishte rrëmbyer nga terroristët palestinezë. Një njësi tjetër e rëndësishme elitare gjermane është Forca Elitë e Operacioneve Speciale (SEK). Ajo kufton kryesisht krimet e rënda të dhunshme(siç është pengmarrja) dhe mbështet policinë në raste të veçanta operacionale.
2. Task Force Argus, Zvicër. Njësia speciale zvicerane Argus e policisë kantonale në Aargau u krijua në vitet 1970 si një njësi anti-terroriste, kur organizatat terroriste ekstremiste të krahut të majtë në Evropë kryen sulme të përgjakshme. Njësia mban kontakte shumë të ngushta edhe me Forcat Elitë “Cobra” në Austri.
3. GIGN, Francë
E krijuar zyrtarisht në vitin 1974, GIGN, Njësia Speciale e Xhandarmërisë Kombëtare Franceze (Groupe d’intervention de la Gendarmerie Nationale), gjithashtu krenohet me disa nga luftëtarët elitë më të mirë në botë. Fusha e saj e përgjegjësisë përfshin luftën kundër terrorizmit, shpëtimin e pengjeve dhe mbrojtjen personale të personaliteteve speciale. Kandidatët (nga radhët e xhandarmërisë) duhet të kryejnë një vrapim 8000 metra me çantë shpine dhe armë të gjatë në maksimumin e 60 minutave, si dhe duhet të arrijnë 300 ulje-ngritje në tokë, 100 ulje-ngritje në paralele dhe 25 tërheqje vertikale në hekur. Përveç këtyre, ata duhet të kryejnë një test të vështirë noti.
Sipas deklaratave të veta, njësia ka kryer më shumë se 1800 misione dhe ka liruar më shumë se 600 pengje që nga themelimi i saj. Në Francë është e ndaluar të publikohen fytyrat e anëtarëve të ekipit GIGN.
4. Sayeret Matkal, Izrael.
Sayeret Matkal është një njësi speciale e ushtrisë izraelite, e cila përveç luftimit të terrorizmit dhe shpëtimit të pengjeve, është përgjegjëse edhe për operacionet e inteligjencës. Ekzistenca e njësisë ishte e fshehtë që nga viti 1958 deri në 1976. Vetëm pas këtij viti mund të aplikohej zyrtarisht në forcat speciale. Trajnimi jashtëzakonisht i vështirë zgjat 20 muaj dhe monitorohet nga mjekë dhe psikologë. Gjatë dekadave, Sayeret Matkal ka qenë i përfshirë në operacione të shumta anti-terroriste dhe shpëtime pengjesh. Një nga misionet më të famshme të njësisë ishte Operacioni Entebbe: Në vitin 1976, 106 pasagjerë të “Air France” u shpëtuan pasi u rrëmbyen nga terroristët e organizatës terroriste palestineze PLO, në aeroportin Entebbe të Ugandës.
5. Navy Seals, SHBA.
“Navy Seals” me famë botërore janë një njësi speciale e marinës amerikane. Forca elitare asgjësoi liderin radikal terrorist islamik Osama bin Laden. “Seal” është e përgatitur për ooeracione të kombinuara nga “Toka”, “Ajri” dhe “Deti”. Stërvitja e vështirë është e ndarë në 3 faza, ku trajnimi bazë zgjat 9 javë. Faza 2 përfshin stërvitjen e zhytjes dhe Faza 3 është trajnimi i këmbësorisë. Në të ashtuquajturën “Java e Ferrit” të periudhës së trajnimit, kandidatët dyshohet se janë shtyrë në kufijtë e tyre të vetëdijes, përmes mungesës së gjatë të gjumit dhe alternimit të ushtrimeve ushtarake të sforcuara.
Në “Konferencën e Lojrave Olimpike” vite më parë morën pjesë edhe Forcat e Marinës dhe përfunduan vetëm në nivelin mbi mesatar, siç raportonte revista gjermane e lajmeve “Focus”. Si rezultat, efektivët thuhet se ishin tërbuar në dy pijetore në Bon dhe nga zhgënjimi i plotë kanë thyer mobiljet. Mësohet se në atë kohë, Ambasada amerikane ka paguar dëmin.
6. SAS, Mbretëria e Bashkuar.
Shërbimi Special Ajror i Ushtrisë Britanike (SAS) ekziston që nga viti 1941, duke e bërë atë një nga komandat më të vjetra elitare në botë. Ekzistenca e SAS u mbajt sekret ose u mohua zyrtarisht për një kohë të gjatë. Trupat u bënë famëkeqe kur shpëtuan pengjet në ambasadën iraniane në Londër në vitin 1980 – operacioni i suksesshëm u zhvillua përpara një turme të madhe gazetarësh. Pas kësaj, qeveria hoqi dorë nga fshehja e njësisë speciale për publikun. Njësia përbëhet nga tre regjimente, me rreth 500 trupa. Pjesa më e rëndësishme e procesit të pranimit të kandidatëve, përfshin një kurs trajnimi 6-javor në xhungël.
7. Njësia Speciale Alfa, Rusi.
Njësia speciale ruse Alfa ose “Alpha Group” është në varësi të shërbimit sekret të brendshëm rus. Ajo përdoret kryesisht për të luftuar terrorizmin. Ekzistenca e njësisë u bë e njohur vetëm pas ndarjes së Bashkimit Sovjetik në vitet 1990. Thuhet se njësia përbëhet nga rreth 700 trupa. Dihet shumë pak për stërvitjen e tyre, por hamendësohet se ajo është jashtëzakonisht e vështirë fizikisht dhe mendërisht.
8. Unidad de Operaciones Especiales, Spanjë.
Forcat speciale spanjolle “Unidad de Operaciones Especiales”(UOE) u themeluan në vitin 1967 dhe janë një njësi e Marinës spanjolle që ka qenë pjesë e forcës elitare spanjolle “Forca e Luftës Speciale Detare” (FGNE) që nga viti 2009. Ky ekip special përdoret kryesisht në det të hapur, por UOE operon herë pas here edhe në tokë. Ashtu si në të gjitha njësitë speciale, stërvitja është shumë e ashpër, me një mesatare prej 70-80 përqind të kursantëve të dështuar. Kjo është shkalla më e lartë e braktisjes brenda forcave të armatosura spanjolle. Pajisjet përfshijnë pushkë sulmi, mitralozë të lehtë dhe pushkë snajper. Njësia përdoret gjithashtu në veçanti për të luftuar terrorizmin, për shembull në të kaluarën kundër organizatës terroriste baske Eta, e cila sot nuk ekziston më.
9. Task Force Cobra, Austri.
Fircat komando Cobra(Eko Cobra) nga Austria mund të konkurrojë me forcat speciale më të forta në botë: Në vitin 2015, Cobra fitoi “Konferencën e Lojrave Olimpike”(CTC). Njësia speciale u themelua në vitin 1978 si Xhandarmëri, në vitin 2002 u riemërua Cobra dhe në vitin 2013 u bë një ristrukturim organizativ, ku “Eko Cobra” u bë pjesë e Drejtorisë për Njësitë Speciale. Ekipi përdoret, për lirimin e pengjeve, vrasjet e klasifikuara dhe në zonat e antiterrorit. Gjithashtu, njësia mbështet policinë në rastet e rrezikshmërisë së lartë. Në vitin 2004, zyrtarët e “Eko Cobra” ishin në gjendje të arrestonin një nga kumbarët më të rrezikshëm mafioz të Turqisë. Në vitin 1996, njësia speciale i dha fund rrëmbimit të një avioni ndërsa ai ishte ende në ajër; asnjë forcë tjetër elitare nuk ka arritur ta bëjë këtë.
Aplikimi për të shërbyer në këtê forcë, mund të bëhet nga çdo punonjës policie, me dy vite shërbim në terren. Femrat janë gjithashtu pjesë e “Eko Cobra”, megjithëse dukshëm më rrallë se meshkujt. Në testin e përzgjedhjes, një litar i gjatë tre metra duhet të ngjitet pa përdorur këmbët. Çdo vit, efektivët duhet të kryejnë një test fitnesi. Shumica prej tyre janë gjithashtu shumë atletikë apo edhe sportistë të mirë në jetën e tyre private.
10. SSG, Pakistan.
Grupi i Shërbimeve Speciale të Ushtrisë së Pakistanit (SSG) mund të rivalizojë forcat speciale më të mira në botë. Specialitetet e trupave janë: kundër-terrorizmi, operacionet jashtë shtetit për mbrojtjen nga të huajt, zbulimi dhe lufta jokonvencionale. Njësia njihet edhe si “Black Storcks” për shkak të kapelës së tyre. SSG u themelua në vitet 1950. Ndër të tjera, njësia u përdor në situatat luftarake dhe ato të antterrorit në Afganistan dhe Sri Lanka. Personeli ushtarak me të paktën 5 vjet shërbim dhe mosha 25-39 vjeç kanë të drejtë të aplikojnë. Procesi i përzgjedhjes është jashtëzakonisht i vështirë dhe përqindja e braktisjes është e lartë (85-90%). Ndër të tjera, anëtarët trajnohen për t’u bërë mjeshtër në xhudo dhe karate. Në kurset e avancuara të trajnimit, efektivët bëjnë trajnime të plota në shkretëtirë, në male, në dëborë dhe në ajër, duke përdorur snajperin, në varësi të situatave dhe nivelit të specializimit të tyre.
Burimi*:
https://mobil.news.at/a/spezialeinheiten-weltweit-11775556

