Ky dëmtim në popull është njojur me togfjalëshin “i ra dielli” ose e “goditi pika e diellit” dhe mund të jetë një çrregullim kërcënues jo vetëm për moshat e vjetra, por edhe për ato të rejat.
Rritja e temperaturave këto ditë si dhe lëvizja e njerzve qoftë për punë e qoftë për qejf mund të rrisë rastet e “goditjes nga dielli”.
“Goditja nga dielli” ka të bëjë me dëmtimet që pëson organizmi për shkak të ekspozimit në diell dhe paaftësisë së tij për ta shpërndarë këtë nxehtësi.
Shenjat më të zakonshme janë: marrje mendsh, humbje ekuilibri, dhimbje koke, të përzjera, të vjella, rrafje të shpeshta zemre, gjendje të fikëti.
Njohja e hershme e simptomave të goditjes nga dielli si dhe dhe freskimi i shpejtë e personit në ambient të përshtatshëm (mundësisht vaskë, giovato, pishinë) si dhe dhënia e ujit e kripërave janë thelbësore për të parandaluar dështimin e shumë organeve madje dhe vdekjen.
Mundësisht zhytja e të gjithë trupit në ujë të ftohtë (vaske) është trajtimi i vlefshëm, nxitja për të pirë ujë dhe transporti drejt një spitali është çelësi për përmirësimin e mbijetesës jë këto raste.
Kujdesi spitalor përqendrohet në mbajtjen freskët dhe në menaxhimin e komplikacioneve, të tilla si dëmtimi akut i veshkave, trombozat, mosfunksionimi i mëlçisë si dhe dëmtimet neurologjike.
Është një gjendje që varet nga koha dhe mund të përparojë shpejt në sindromën e mosfunksionimit shumëorganor, me shkallë vdekshmërie që arrijnë deri në 28% nëse nuk njihet dhe nuk trajtohet menjëherë.
Kujdesi mjekësor përfshin të gjithë zinxhirin e mbijetesës; që nga ofrimi i ekspertizës në kujdesin paraspitalor, dhënia e ujit, freskimi, mbajtja në ujë të ftohtë deri te menaxhimi i komplikacioneve në reanimacion dhe planifikimi i rehabilitimit afatgjatë.
Rreziku nga “goditja e diellit” nuk zhduket domosdoshmërisht pas kalimit të krizës. Sipas linjave guidë , të mbijetuarit vuajnë nga dëmtime të aftësisë njohëse, çrregullimet motorike, neurologjike dhe infarkt miokardi.
Këshilla:
– Lajmëroni urgjencën në nr 112/127 për ta dërguar gjithmonë në spital një person që humb vetëdijen në ambjentet e nxehta, rrugë, plazh etj
– Ndihmojeni personin duke e shtrirë në një vend të freskët, jepini ujë të freskët. Mundësisht mbajeni në giovato, vaskë, pishinë sipas mundësive.
– Mos i jepni personit të prekur nga nxehtësia birrë, pije energjike, kafe etj.
– Mos qëndroni në rrezet direkte të diellit pas orës 10 paradite deri në orën 17 pasdite.
– Qëndroni të hidratuar.
– Përpiquni të bindni të moshuarit të mos lëvizin në oraret e vapës.
Kujdesuni për veten!
Dr. Ilir Allkja

