Pamjet e këtyre ditëve me fadroma që prishin ndërtime pa leje nuk tregojnë forcën e shtetit, por dëshmojnë mungesën e tij.
Në një vend ku shteti do të funksiononte vërtet, asnjë investim nuk do të ndërtohej pa letra, pa leje, pa plan urbanistik, pa një vizion zhvillimi të harmonizuar me interesin publik. Por Shqipëria e Edi Ramës nuk është shtet funksional – është një spektakël mediatik me fasadë propagandistike.
Në një shtet normal:
• Do ishin bërë planet urbanistike nga vetë shteti;
• Do ishte garantuar e drejta e pronës përmes legalizimeve transparente;
• Do ishte dhënë leje ndërtimi me procedura të thjeshtuara dhe kredidhënie të butë për investime;
• Do ishin penguar ndërhyrjet në momentin e ndërtimit, jo pas ndërtimit;
• Dhe qytetarët nuk do ta ndienin “shtetin” si terror, por si shërbim.
Në Shqipëri ndodh e kundërta. Shteti fshihet sa herë qytetari ka nevojë për të dhe del në skenë me dhunë, shkatërrim e spektakël kur i duhet Ramës të duket më “shtetformues” se Ismail Qemali.
Shkatërrim në vend të shtetndërtimit
Edi Rama erdhi në pushtet para 12 vitesh me sloganin “do bëjmë shtet”, dhe e nisi me kontrollin e territorit duke arrestuar gjyshe për kotec pulash. Sot, pas tre mandateve, është kthyer po aty – sepse ka mbetur pa ide.
Çfarë kemi pas 12 vitesh?
• Një administratë të fryrë me militantë që harxhon miliarda nga buxheti;
• Një aparat të politizuar që nuk ka parandaluar asnjë ndërtim pa leje;
• Një shkatërrim të pasurisë kombëtare që përbëhet nga pasuria e çdo shqiptari;
• Një valë emigrimi pas çdo aksioni të tillë që i kthen qytetarët në armiq të vendit të vet.
Ky nuk është shtet. Ky është pushtim.
Spektakli mbi gërmadha dhe zhdukja e interesit publik
Çfarë interesi publik mbrohet kur një ndërtim shembet në mes të sezonit turistik?
A do të shkatërronin këto ndërtesa përfundimisht bukuritë natyrore të vendit në dy muaj, apo duhej që akti i prishjes të bëhej tani – që të shfaqet Ramaduro në televizor, me lukun e Ismail Qemalit, për të luajtur rolin e “shtetformuesit”?
Kjo është arrogancë mediatike, jo qeverisje.
Në vend të planifikimit, kemi kaos. Në vend të rendit ligjor, kemi spektakël policor. Në vend të drejtësisë, kemi dhunë administrative. Në vend të shtetit që nuk shihet sepse funksionon – kemi një pushtet që bërtet sepse nuk qeveris dot.
Kur prishjet bëhen për të ndërtuar propagandë
Nëse ky shtet do të ishte vërtet i ligjshëm dhe funksional, këto ndërtime nuk do të kishin ekzistuar kurrë. Në vend të kësaj, ndërtimet tolerohen për vite me radhë, përdoren politikisht në zgjedhje, dhe më pas rrëzohen kur interesat e pushtetit kërkojnë një “show force”.
Prishja nuk është zbatim i ligjit, por shfaqje e një sistemi të kalbur, që sillet si taksambledhësi i Perandorisë Osmane mbi një tokë të dhuruar nga sulltani.
Shteti që hesht është ai që funksionon. Ky që bërtet – është ai që ka dështuar.
Prandaj, shteti nuk është fadromë.
Shteti është:
• Planifikim afatgjatë,
• Zbatim i barabartë i ligjit,
• Siguri juridike për qytetarin,
• Mbrojtje e pronës dhe iniciativës private,
• Llogaritje e interesit publik për çdo vendimmarrje
Gjithçka tjetër është Haxhiqamilizëm me pamje europiane. Dhe ky është sot modeli që po na sundon.
Eduart Sharka/ PRISHJA NUK BËN SHTET – vetëm e nxjerr zbuluar mungesën e tij
Leave a comment
Leave a comment

