Unë jam bija e këtij qyteti — sot flas si një qytetare ,si mjeke,që nuk pranon më të heshtë.
Vlora, ky qytet i bekuar nga natyra, nga historia, nga kultura dhe nga njerëz të ndershëm, po poshtërohet çdo ditë nga një padrejtësi ulëritëse: Mungesa e ujit të pijshëm!
Në vitin 2025, në një qytet bregdetar që pret mijëra turistë dhe gjeneron të ardhura të mëdha për vendin, qytetarët e tij nuk kanë ujë. Jo për një orë. Jo për një ditë. Por me ditë të tëra!
Në çdo cep të Vlorës — nga lagjet e qendrës tek ato më periferike — më shkruajnë qytetarë të dëshpëruar, të revoltuar, të lodhur nga pritja dhe heshtja. Ka familje që rrinë pa ujë me ditë. Ka gra që zgjohen në 4 të mëngjesit për të mbushur pak bidona. Ka të moshuar që përkulen mbi rubinete bosh me shpresën se, ndoshta sot, do ketë një pikë ujë.
A është kjo normale? A është kjo e pranueshme? A është kjo drejtësia që meriton Vlora?
E kam thënë dhe do ta them:
Uji nuk është luks. Uji është jetë. Uji është dinjitet.
Dhe Vlora nuk jeton dot pa dinjitet.
Si ka mundësi që pas gjithë këtyre viteve, pas gjithë premtimeve dhe milionave që përmenden në çdo raport, problemi më bazik – UJi– ende nuk është zgjidhur? Si ka mundësi që investimet vijnë e ikin, por rubinetat e vlonjatëve mbeten bosh?
Vlora nuk kërkon lëmoshë. Vlora kërkon atë që i takon me të drejtë: Shërbim të ndershëm, zgjidhje reale, dhe përgjegjësi nga institucionet që kanë dështuar t’i shërbejnë qytetarëve.
Kush do të japë llogari për këtë neglizhencë?
Kush do të përgjigjet për këtë shpërfillje?
Ku janë zyrtarët që premtojnë çdo sezon dhe zhduken çdo herë që problemet trokasin në portat tona?
Unë nuk kam nevojë për një karrige që të flas.
Kam ndërgjegje. Kam zë. Dhe mbi të gjitha, kam detyrimin moral të mos e le Vlorën në heshtje.
Nada Daullja🇦🇱

