Nga: Ajet Delaj
Pa dyshim që flamuri është simboli më domethënës i çdo kombi — pjesë e pandarë e historisë së tij dhe frymëzim i përhershëm në luftërat për liri që kanë zhvilluar kombet ndër shekuj. Ai është një nga elementët më të rëndësishëm të identitetit kombëtar.
Megjithatë, për të qenë të saktë historikisht, flamuri i kombit shqiptar — flamuri i Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) — në realitetin e ri të krijuar pas vitit 2007, me formimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan, për shkak të shumë arsyeve objektive e subjektive të gjeopolitikës ballkanike dhe më gjerë, nuk është më i pranishëm zyrtarisht në pothuajse gjysmën e territorit të kombit shqiptar.
Që ky realitet nuk është dëshirë e popullit të Kosovës, kjo nuk vihet në dyshim nga askush. Nuk është as rezultat i ndonjë presioni të miqve të shqiptarëve, pasi flamuri i kombit tonë valëvitet në tokën amerikane, në Amerikën e lirisë dhe demokracisë, në raste festash e ceremonish — një realitet i prekshëm, i cili nuk shqetëson askënd.
Nga kjo kuptojmë se krijimi i këtij realiteti ishte më shumë rezultat i një fitoreje të përkohshme të armiqve të popullit të Kosovës dhe të krejt kombit shqiptar, përmes presionit diplomatik të ushtruar gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të shtetit të ri.
A mundemi ne, shqiptarët e hapësirave ballkanike, ta ndryshojmë këtë realitet sot?
Natyrisht që jo.
Por a mundemi të punojmë për të minimizuar dëmet dhe të ndërtojmë të ardhmen?
Natyrisht që po.
Për mendimin tim, pas derdhjes së gjakut të djemve të Kosovës për lirinë e saj, të frymëzuar dhe të betuar në flamurin e kombit, është radha e Republikës së Shqipërisë që të veprojë. Ajo duhet të hartojë një projekt për flamurin shtetëror, që me referendum të shpallë flamurin aktual si flamurin e kombit, sepse në të vërtetë ai është flamuri i kombit, edhe pa këtë veprim juridik. Por, duke qenë se jetojmë në kohë moderne, duhet t’i përshtatemi realitetit të kohës sonë.
Me këtë veprim, shteti shqiptar do të hidhte një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur — në përputhje të plotë me dëshirat dhe aspiratat e të gjallëve dhe të rënëve në hapësirat shqiptare të Ballkanit. Sepse nuk është aspak krim të aspirosh që një ditë kombin tënd ta shohësh të bashkuar nën një Zot dhe një flamur.
Askush të mos mendojë se bashkimi mund të arrihet nga të tjerët, nëse vetë shqiptarët nuk përpiqen dhe nuk luftojnë për atë ditë të shenjtë. Bashkimi i trojeve shqiptare në Ballkan pa dyshim që do t’i siguronte kombit tonë një pozitë të fuqishme në rajon dhe më gjerë, sepse Zoti na ka falur tokë të bekuar, një popull vital dhe miq të fuqishëm e të sinqertë që mbështesin çështjen shqiptare. Të tjerat janë në duart tona.
Jemi ndër tre kombet më të vjetra të Europës dhe nuk kemi asnjë arsye të ngutemi. Mënyra më e mirë për t’i shërbyer çështjes së bashkimit dhe përparimit të kombit shqiptar është fuqizimi, demokratizimi dhe zhvillimi i shteteve shqiptare, si dhe krijimi i hapësirave demokratike për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre.
Europa e Bashkuar sot ndodhet në prag të kombit shqiptar, ndonëse fatkeqësisht duhet pranuar se qeveritë shqiptare në Ballkan nuk kanë punuar me seriozitet në 10-20 vitet e fundit për t’u afruar me të. Megjithatë, edhe afrimi i Europës drejt nesh është i mirëpritur, sepse Perëndimi demokratik sjell me vete mundësinë e përdorimit të mekanizmave demokratikë, siç janë vota, referendumi dhe mjetet e tjera demokratike.
Për kombin shqiptar është mirë të mësojmë nga historia e kombit izraelit, i cili, vetëm 20 vjet pas krijimit, jo vetëm që zmbrapsi një koalicion agresorësh ditën e festës, por edhe zgjeroi territorin e vet pothuajse me 100%, duke krijuar hapësira të mjaftueshme për sigurinë e tij kombëtare.
Çdo analizë tjetër për të gjykuar punën e qeverive shqiptare në krahasim me këtë realitet, kur marrim parasysh territorin dhe kushtet që kishte Izraeli 43–63 vjet më parë, e bën fjalën “alarm” të tingëllojë e butë. Për kë kemi votuar për të na qeverisur?, do të thonë disa. Kush na ka hipur në qafë për të disatën herë?, do të pyesin të tjerë. Gjithsesi, koha nuk pret, sepse shqiptarët vërtet meritojnë një realitet tjetër.
Kush punon dhe arrin të sotmen, me siguri do të arrijë edhe të ardhmen.
Nga: Ajet Delaj,
New York

