Nëse ka një segment të shoqërisë që realisht duhet të kishte qenë në pararojë të betejës elektorale për ndryshim më 11 maj, ai ishte pa dyshim biznesi i ndershëm. Dhe nuk po flas për bizneset që mbijetojnë përmes tenderave apo afërsisë me pushtetin, por për ata sipërmarrës që punojnë çdo ditë, që mbajnë gjallë ekonominë reale, që paguajnë taksat dhe luftojnë për të mos u mbytur nga konkurrenca e pandershme dhe informaliteti. Pikërisht këta duhej të ishin aleatët tanë të parë.
Opozita paraqiti një program ekonomik të qartë, të djathtë dhe të guximshëm, që kishte si pikënisje dy parime themelore:
“Biznesi është kali që tërheq karrocën që quhet shtet” – Winston Churchill
“100 dollarë janë më me vlerë për shoqërinë në xhepin e biznesit sesa në xhepin e shtetit” – Ronald Reagan
Në një shtet normal, këto nuk janë thjesht shprehje të bukura. Janë busulla ideologjike. Dhe ato ishin edhe busulla jonë në hartimin e programit ekonomik: më pak shtet, më pak burokraci, më pak taksa – më shumë liri për të krijuar, për të punësuar dhe për të jetuar.
Çfarë ofronim?
• Taksë të sheshtë 10% për të gjithë – një politikë që do të rrisë të ardhurat për frymë, do të nxisë konsum të brendshëm dhe për rrjedhojë do të rrisë xhiron për biznesin.
• Reduktim të administratës publike, që sot është e fryrë dhe e politizuar – një barrë e rëndë mbi buxhetin, që mbahet pikërisht nga taksat e biznesit të ndershëm.
• Luftë ndaj narkoeuros dhe pastrimit të parave – sepse nuk ka konkurrencë të ndershme në një ekonomi ku qarkullojnë miliona euro të pista që deformojnë tregun, qiratë, pagat dhe çmimet.
• Mbrojtje të produktit vendas dhe konkurrencë të drejtë në treg – përmes politikave që favorizojnë prodhuesit shqiptarë, frenojnë importet spekulative dhe u japin prioritet investimeve që krijojnë vlera të qëndrueshme në vend.
Të gjitha këto, nëse implementoheshin, do të krijonin një klimë të re ekonomike. Jo për oligarkët – por për sipërmarrësin real, për ndërtuesin e vërtetë të mirëqenies kombëtare.
Ku ishte biznesi?
Ne, si opozitë, besuam se ky mesazh do të kuptohej, se nuk kishte nevojë për përplasje të drejtpërdrejta apo ekspozim publik të përfaqësuesve të biznesit për të shmangur koston që narkoshteti di ta shkaktojë. Por kjo nuk ndodhi. Me shumë përjashtime të nderuara, biznesi i ndershëm heshti.
Nuk di kush e ka fajin, por di që heshtja është e pajustifikueshme. Nuk mund të kërkosh liri tregu, ulje taksash, më pak korrupsion e më shumë rend, kur zgjedh të mos reagosh kur ke një alternativë që të ofron pikërisht këtë. Kjo nuk është as neutralitet, as kujdes – është neglicencë dhe konformizëm.
Në Shqipëri, 33% e të punësuarve janë në administratën publike – të politizuar, të patronazhuar, të frikësuar. Ndërsa 67% e të punësuarve janë në sektorin privat – që paguan tatime, sigurime, qira dhe pagat e të gjithë të tjerëve. Po si ka mundësi që 33% me frikë vendosin më shumë sesa 67% që mbajnë vendin në këmbë?
Sepse të parët janë të organizuar, të dirigjuar dhe të detyruar. Të dytët – të shpërndarë, të përçarë dhe shumë shpesh të frikësuar. Ky është realiteti i një demokracie të shtrembëruar nga frika dhe klientelizmi, ku sipërmarrja e ndershme është lënë pa përfaqësim real dhe pa zë.
Ky nuk është justifikim, por një thirrje e ndershme për reflektim
Ky artikull nuk është përpjekje për të fshehur të metat apo mangësitë tona si opozitë. Ne kemi përgjegjësi për shumë gjëra që duhen përmirësuar, dhe do t’i analizojmë ato pa dyshim. Ky artikull nuk është as për të thënë se rezultati i zgjedhjeve ishte vetëm për faj të tjetrit – megjithëse bindja ime është se këto nuk ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme, por një farsë elektorale, ku makineria e shtetit u vu hapur në funksion të pushtetit dhe frikës.
Ky është thjesht një reflektim i drejtpërdrejtë dhe personal i një njeriu që ka pasur dhe ka kontakte të vazhdueshme me biznesin gjatë fushatës, dhe ka ndjerë nga afër mungesën e reagimit të atyre që kishin më shumë për të fituar nga një ndërrim kursi ekonomik.
Një lidhje filozofike që nuk mund të mohohet
Në filozofinë politike perëndimore, lidhja mes biznesit të ndershëm dhe politikës së djathtë është natyrale dhe pragmatike. Politikat e djathta e shohin sipërmarrjen si burim zhvillimi, e jo si objekt grabitjeje apo kontrolli. Por në Shqipëri, kjo lidhje shpesh ndrydhet nga një kompleks historik: një pjesë e sipërmarrësve, për shkak të lidhjeve kulturore me të shkuarën partizane apo nostalgjisë për një “shtet të fortë”, e kanë të vështirë të afrohen me të djathtën, edhe kur interesi i tyre racional i çon aty.
Kjo është një pengesë kulturore që duhet thyer. Sepse në thelb, nuk mund të kërkosh ekonomi të lirë dhe treg të hapur, ndërkohë që qëndron në distancë nga politika që i mbron këto vlera. Vetëm duke e kuptuar këtë marrëdhënie si natyrore, jo si tabu, mund të çlirojmë jo vetëm sipërmarrjen – por vetë shoqërinë.
Nëse biznesi i ndershëm nuk zgjohet sot, rrezikon të mos ketë më as treg, as liri, as dinjitet. Heshtja nuk të mbron – vetëm e vonon goditjen, derisa të jetë shumë vonë.

