Mendoni se si do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri sikur:
* Opozita të kishte sjellë fakte për korrupsion në Prokurori, duke vënë në hetim Edi Ramën, ose SPAK të kishte hapur hetim kryesisht kundër kryeministrit në detyrë (për këtë qëllim është krijuar SPAK), në lidhje me pasurinë, sarajet në Surrel, rolin dhe firmat “tak tak tak – fap fap fap” për inceneratoret dhe për miliardat e shpërdoruar çdo vit nga buxheti i shtetit.
* Të gjitha partitë e opozitës të kishin kërkuar qeveri teknike tranzitore për zgjedhjet, bashkefirmosur në të njëjtën shkresë drejtuar BE-së, SHBA-së, OSBE/OHDIR, etj., me fakte dhe paragrafe nga vetë raportet e zgjedhjeve të mëparshme, ku vërtetohet se partia në pushtet përdor mjetet dhe presionin shtetëror në dobi të saj; dhe zgjedhjet të ishin bërë me një qeveri dhe ministra teknikë, më të zotët në profesionet e tyre, pa ministra apo drejtorë të drejtorive në krye të fushatave sipas zonave ku ishin kandidatë për deputetë, por si njerëz të thjeshtë e të barabartë me kandidatët e tjerë.
* Ligji zgjedhor të ishte plotësisht demokratik dhe i barabartë për të gjithë, me leje për koalicionet paraprake (parazgjedhore), me sistem proporcional kombëtar me lista plotësisht të hapura, me administrim zgjedhor jopartiak dhe me votim dhe numërim elektronik që jepte rezultatin brenda ditës së zgjedhjeve.
* Policia e shtetit të mbante rendin dhe të godiste grupet kriminale aktive para dhe gjatë zgjedhjeve, sepse drejtohej jo nga një ministër partiak që kërkon të zgjidhet vetë deputet.
Pra, vetëm duke ndryshuar këto kushte, me kryetarin e partisë si ish-kryeministër në hetim, duke lënë plotësisht të qetë votuesit të zgjidhnin pa ndikime, bëhet e qartë për të gjithë se fitorja e Partisë Socialiste, me gjithë atë pakënaqësi, shpopullim, mosrealizime, krime e varfëri në popull, nuk do ishte e sigurt. Përkundrazi, nevoja që pati PS për të ndryshuar ligjin zgjedhor dhe për ta vënë shtetin ne sherbim të votave tregon se ajo në fakt e ndiente humbjen, pavarësisht se edhe opozita nuk krijoi frymë fituese. Prandaj, le të jetë e qartë për të gjithë se zgjedhjet e 11 majit nuk mund të njihen e as të certifikohen si të lira e të ndershme.
Le të jemi një herë të vetme të ndershëm me veten tonë dhe me shqiptarët, të mos pranojmë standarde më të ulëta se Evropa nëse duam të hyjmë në Evropë. Në fakt, standardet tona nuk janë as ballkanike, as sa Maqedonia e Veriut (që ka vendosur standardin e drejtë të qeverisë teknike në zgjedhje) e as sa Kosova (që ka sistemin proporcional të përgjithshëm me lista plotësisht të hapura).
Le të mblidhemi të gjithë bashkë, parti politike dhe shoqëri civile, për kauzën e vendosjes së standardeve të drejta për zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme, për zgjedhje të parakohshme me këto standarde të reja dhe le të fitojë kush e meriton me meritë të qartë.
Këtu nuk bëhet fjalë kush do të përfitojë e kush do të humbasë, kush do të përfitojë më shumë apo më pak prej partive politike, por bëhet fjalë për kombin, për shqiptarët, për meritokracinë, për zhvillimin, për ripopullimin, për të ardhmen.
PERPARIM GJEKA
12.06.2025

