Prej tri ditësh nji Ardit asht nan rrënojat tona! E përpiu masivi i dheut dhe e mban aty shtrënguem si të ishte mbijetesa e vet, si të ishte shpagimi i krejt mizorisë së pa fre që ka ra si mallkim mbi ne e mbi atë stom dheu e kromi bashkë. Dheu si gjëmim e kromi si hakërrim tallen e na përqeshin prej tri ditësh tue e mbajt Arditin mrenë, e na, në turpin tonë nuk kena fuqi ma me kthye as sytë kah Klosi, atje ku tashmë asht dëshmia ma e saktë e nji shteti zhele, e nji qeverie hajdute, e nji ushtrie jargavitëse, e nji kompanie kriminale e mafioze njëjtë me gjithçka që mbartin institucionet tona!
Arditin e përpiu dheu që gërryente nan urdhna skllavopronarësh, nan kërcënimin kafshatë e nan diktatin e pasunarëve gjakpirës të këtij vendi që të dielën pret me hy sërish në thertore barbarësh! E turravrapi drejt saj ban që për Arditin mos me pas kush kohë ma:
Ai asht aty, nan masivin monstruoz tue prit Shqipninë Europiane të nji kryeministri pushtues, zaptues e denigrues! Ai asht aty tu prit pasaportën Europiane që me të kryeministri i Shqipnisë shan, mallkon e telendis këdo, veç se nuk nxjerr nji tingull për Arditin që shkoi në atë betejë me dheun pikërisht se Europa për të ishte vetëm aq dhe aty!
Ardit Beshiri si Ardit Gjoklaj nuk përbajnë lajm, as alarm as histori! Ata ishin të destinuem me kanë klasë punëtore: njani nan pirgje plehrash e tjetri nan pirgje kromi, sepse ktu ekzistojnë vampirë që përfitojnë miliona euro mbi trupin e tyne, mbi gjakun e tyne, mbi jetën e tyne të shueme në kulmin e rinisë!
Arditi asht nan rrënoja e Shqipnia asht në fushatë elektorale; te tanë flasin me e pshtue Shqipninë po kërkush nuk flet si me i’a pshtue dekën Arditit, si me i’a lehtësue sadopak atë shkulm tmerri familjes së tij, si me e kthye edhe iherë para babës e nanës t’ia shohin fytyrën e birit të tyne për herë të fundit, e t’a ‘rehatojnë’ me duart e tyne aty ku të paktën të kenë ku me e vajtur për sa të kenë frymë vetë!
Ka fushatë, vlojnë milionat e eurove tue u hedh me ble vota në emën të Shqipnisë europiane, e nuk kena as kazma e lopata me luftue masivin që na ka zanë poshtë Arditin, imagjino të kërkosh makineri, ato të duhurat për me shkue deri atje ku asht Arditi!
E si mundet Shqipnia me shkue tek Europa, kur prej tri ditësh lamë njeriun nan dhe e nuk hyjmë me e nxjerrë: jo mor jo, as Afrika s’na pranon, as Ruanda, as dreqi e i biri i tij! Veç Shqipnia e shkretë, veç kjo ka vendos me na pranue siç jena; të nanshtruem, të napërkamun, të mjerë, sepse pranojmë me u pasunue me bijtë tanë ca rrugeçër, hajdutë e sharlatanë, sepse nuk ditëm kurrë me e ndëshkue të keqen që i bie tjetrit, tu mendue se do të shpëtojmë na!
Meqë do shkoni të dielën të votoni, mos harroni t’a mendoni familjen e Arditit! Kaq mund t’a bani, kaq mund t’a bajmë! Na përditë, çdo orë e minutë rrezikojmë të jemi Arditë, të gjithë, e në gjithçka…!

