Unë jam nga ata që preferoj më shumë të jetoj në Shqipëri sesa jashtë. Dhe nuk është se s’kam udhëtuar, Evropë, Amerikë e Azi. Por më duket se megjithë vështirësitë, jeta bëhet më e mirë në Shqipëri, shoqëria e miqësia më e ngrohtë madje edhe çmimet sado që na duken të larta, janë më të ulëta se jashtë. Vetëm se këtu duhet të mësosh skemën që unë s’ po e mësoj mirë, që me një bakshish të vogël, po e kuptove, kursen një javë kohë e energji.
Këtë me siguri e dinë ata të punës time prandaj nuk më emërojnë jashtë kur kanë kaluar gjashtë a shtatë vjet këtu. Ky le të rrijë, thonë, ndërsa të tjerë sapo nisen për t’u kthyer në Shqipëri, e ndërrojnë biletën në avion dhe marrin një emërim tjetër jashtë. Vuajtje është edhe kjo. Si puna e atij zotit të shtëpisë dikur që pasi ua caktoi punët anëtarëve të familjes, tha, unë po thyej qafën në një dasëm.
Po boll që je në punë aty, më thonë disa të tjerë, ne na kanë hequr ka kohë. Po rri, them, por siç thotë Napoleoni, një ushtar që nuk synon të bëhet gjeneral, kot rri edhe si ushtar.
Ja, kështu punët në Shqipërinë tonë të dashur. Se edhe ajo përralla që sa të kalosh kufirin, të pret mrekullia, s’është aspak e vërtetë. Idealizohen ende shumë vendet e tjera sidomos perëndimi, si pasojë edhe e sistemit të kaluar. Këtu kanë një rol edhe bashkëatdhetarët tanë që jetojnë jashtë që kur vijnë në Shqipëri, thonë vetëm të mira. S’kanë faj, për një javë apo dy, s’ia vlen të kujtojnë hallet por edhe ia marrin mendtë kështu brezit të ri. Siç tregonin shokët e ushtrisë para 90s që kujtonin ndonjë moment të bukur, ditën e lirimit dhe u harruan vuajtjet për 2-3 vjet. Jo se nuk ka për të mësuar, përfituar, zhvilluar jashtë, madje shumë por nuk janë të ndara ashtu gjërat, e mira atje, e keqja këtu.
Sidoqoftë, pa punë, s’ka në asnjë vend të botës. Prandaj, më falni se u zgjata dhe dua t’ ju uroj të gjithëve një vit të ri, më të mirë, të begatë, me shëndet, mbarësi e lumturi e çfarë t’ju dojë zemra.
Kujtim Morina/ Dua të rri në Shqipëri, por s’po di skemën e bakshishit për karrierë…
Leave a comment
Leave a comment

